Një familje migrantësh shqiptarë e strehuar një javë më parë në një kishe metodiste në Detroit është në qendër të vëmendjes mediatike në SHBA.
Nga Aida Cama
Duket sikur e gjithë media e shkruar dhe ajo audiovizive, lokale e kombëtare mezi kanë pritur një histori për ta treguar. Është historia e Ded dhe Florë Rranxburgaj, një histori për t’u treguar. Mbasi kanë kërkuar mundësitë në Evropë dhe Kanada, 17 vjet më parë Ded dhe Florë Rranxburgaj erdhën bashkë me djalin e tyre 7 vjeçar në Amerikë. Këtu kërkuan azil politik, si njerëz të persekutuar në Shqipërinë komuniste. Kërkesa e azilit nuk u pranua. Flora lindi këtu djalin e dytë. Me lindjen në Amerikë, fëmija mori automatikisht nënshtetësinë amerikane. Ndërkohë që i ati punonte si kuzhinjer nga mëngjesi deri në darkë për të mbajtur familjen, Flora sëmuret nga një sëmundje që i kufizon lëvizjen dhe e bën të varur nga të tjerët.
Lejeqëndrim humanitar
Familja merr një lejeqëndrimi humanitar, për shkak të sëmundjes së nënës. Kështu zgjati shumë mbi dhjetë vjet. Babai në punë, nëna sëmurë dhe fëmijët në shkollë. Djali i madh filloi universitetin. Deri sa në muajin tetor autoritetet e migracionit njoftuan Dedën se duhet të lëshojë Amerikën. Aty ai kërkon ndihmë nga organizata Michigan United, e cila pyeti kishën a mund të strehonte familjen.
Një javë më parë, me praninë e publikut dhe të mediave familja u pranua në Kishën Metodiste të Detroitit. Kryepastorja e Kishës, Jill Zundel është e sigurt se kisha e saj do bëjë çdo gjë të mundshme për të mos lejuar ndarjen e familjes. Në faqen e saj në facebook ajo shpërndan çdo orë mediat e përfshira në fushatën për mbrojtjen e familjes, dhe ato që tregojnë historinë e familjes shqiptare.
Situatë e ndezur për politikat e migracionit
Koha është shumë e ndezur sa i përket politikave të migracionit. Një ligj i aprovuar nga ish-Presidenti Obama, që u mundëson atyre që kanë ardhur si minorenë dhe kanë arritur moshën madhore të mos dëbohen dhe të kenë të drejtë punësimi, pritet të shfuqizohet nga presidenti Trump. I ashtuquajturi DACA, do të votohet sërish më 8 shkurt, si pjesë e reformimit të ligjit të migracionit.
Shumë qytetarë ndihen të prekur prej ndryshimeve që pritet të bëhen në politikat e migracionit. Jevgenia Gazman, një nga pjesëmarrësit e protestës së organizuar para ICE, zyrave të migracionit në Detroit (Immigration and Costums Enforcement) citon fjalët e Matin Luther Kingut, “padrejtësia është kërcënim për drejtësinë”. Ndarja e familjes Rranxburgaj, është padrejtësi që po ndodh tani, këtu në Detroit. Ne nuk duhet të lejojmë që ajo të ndodhë, i thotë ajo Deutsche Welles.
Strehim për migrantët që rrezikohen nga dëbimi
Është rasti i dytë kur një Kisha Metodiste e Detroitit ofron strehë për migrantët. Rasti i parë ka qenë i një çifti afrikan, po ka kaluar pa vëmendje mediatike. Kisha ka vendosur janarin e kaluar të ofrojë strehim për migrantët që rrezikohen nga një dëbim, i cili i vështirëson shumë kushtet e jetës. Strehimi në kishë njihet edhe në Evropë. Nëpërmjet të ashtuquajturës “Lëvizja për sanctuary” komunitetet kishtare dhe besimtarët zotohen të ofrojnë “sanctuary”, strehë për migrantët dhe refugjatët që rrezikohen nga një dëbimet e rënda.
Një 15-vjeçare nga Kosova u strehua në kishë në vitin 2007 në Austri. Arizona Zogaj, zgjoi po ashtu vëmendje të madhe mediatike. Lufta e saj për të qëndruar në Austri zgjati vite të tëra. Edhe në Gjermani kishat e mëdha, ofrojnë strehë për njerëzit e kërcënuar nga dëbimet. Aktualisht njihen në Gjemani 348 persona që kanë gjetur strehim në kishë. Azil në kishë është një qëndrim i përkohshëm në mbrojtje nga dëbimi, por që nuk jep zgjidhje të përhershme. Për zgjidhje të përhershme duhet të ndiqen akte të tjera ligjore.