Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, postoi një video-mesazh të ri për qytetarët mbrëmjen e së mërkurës, duke u kërkuar atyre që të vazhdojnë luftën kundër pushtuesve rusë.
Videoja e postuar në rrjetin social Facebook ka mbishkrimin: “Çdo pushtues duhet ta dijë: do të kundërshtohen ashpër nga ukrainasit”.
“Ne jemi një komb që prishi planet e armikut brenda një jave”, tha presidenti Zelensky.
“Ne i ndaluam ata”, shtoi ai.
Zelensky tha se ushtarakët rusë që janë kapur nga ukrainasit “nuk e dinë pse janë këtu” dhe se ushtarët e armikut “po ikin përsëri në Rusi”.
Ai shtoi se trupat janë “fëmijë të hutuar”, të cilët po “përdoren” nga udhëheqësit e tyre në Moskë.
Zelensky falënderoi gjithashtu civilët në qytetet Konotop, Bashtanka, Energodar dhe Melitopol, të cilët tha se kishin bllokuar rrugët për trupat ruse.
Ai shtoi se së fundmi ka folur me liderët e Norvegjisë, Izraelit, Kazakistanit, Katarit, Kanadasë, Polonisë dhe Këshillit Evropian.
Zelensky gjithashtu nënshkroi një dekret, përmes të cilit i shpalli Heronj të Ukrainës 15 ushtarakë ukrainas, nëntë prej të cilëve kanë vdekur.