Presidenti francez Emmanuel Macron i tha homologut të tij rus, Vladimir Putin se po bënte një “gabim të madh” në Ukrainë, se po mashtronte veten për qeverinë në Kiev dhe se lufta do t’i kushtonte shtrenjtë Rusisë në planin afatgjatë, tha një zyrtar francez.
Në bisedën telefonike të iniciuar nga Putin të enjten, udhëheqësi rus përsëriti vendosmërinë e tij për të siguruar neutralizimin dhe çarmatimin e Ukrainës, qoftë diplomatikisht apo me armë, tha zyrtari për Reuters.
“Nuk kishte asgjë në atë që tha presidenti Putin që mund të na qetësonte,”- tha këshilltari presidencial francez, duke shtuar se Putin kishte përsëritur “narrativën” e tij se ai po kërkonte “denazifikimin e Ukrainës”.
“Ti po gënjen veten”, i tha Macron-Putinit, tha zyrtari. “Do t’i kushtojë shtrenjtë vendit tuaj, vendi juaj do të përfundojë i izoluar, i dobësuar dhe nën sanksione për një kohë shumë të gjatë”, mësohet se i ka thënë Macron-Putinit.