Ambasada Amerika do të ketë përfaqësues për të vëzhguar zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, që do të zhvillohen në 6 bashki në vend.
Kjo kërkesë e Ambasadës Amerikane u pranua ditën e djeshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas një mbledhje të zhvilluar. Në njoftimin e KQZ thuhet se u vendos akreditimi i 4 vëzhguesve. “Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e sotme publike shqyrtoi kërkesën e Ambasadës Amerikane, për vëzhgimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022.
Komisioneri vendosi akreditimin e 4 (katër) vëzhguesve afatshkurtër dhe 4 (katër) përkthyesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vëzhgimin e zgjedhjeve të pjesshme”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca u takuan dje me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi për të shprehur, përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, mbështetjen për rolin kritik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ambasadorja Yuri Kim nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime apo nxitje të panevojshme. Ajo nxiti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshi verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.
Ambasadorja vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për në Bashkimin Evropian.
KQZ kërkesë Ministrisë së Brendshme
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një kërkesë ministrisë së Brendshme për njohjen e dokumenteve të identifikimit të skaduara edhe tej datës 6 mars, për t’i dhënë mundësi atyre që të votojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije, se ata kanë marrë shqetësime nga disa subjekte zgjedhore se ka një numër relativisht jo të vogël të qytetarëve që i ka skaduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit. KQZ argumenton se koha nga data e dekretimit për datën e zgjedhjeve deri zhvillimin e tyre, mund të mos ju ketë dhënë kohë qytetarëve të rinovojnë dokumente e skaduara të identifikimit.
“Në kuadër të përgatitjeve të këtyre zgjedhjeve, KQZ ka marr shqetësim nga disa subjekte zgjedhore pjesëmarrës në këto zgjedhje mbi një numër relativisht jo të vogël të shtetasve që i ka skaduar ose u skadon vlefshmëria e kartës së ID. Në përputhje me të gjitha përcaktimet ligjore ju lutem të konsideroni mundësinë e vlefshmërisë të ID me afat të skaduar më tej datës 6 mars”, thuhet në kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejtuar ministrisë së Brendshme.