Ashtu siç ndodh në katund kur vjen banda muzikore për herë të parë e gjithë fshati ndjehet muzikant, tani që ndodhi pushtimi i Ukrainës, shumë gazetarë shqiptarë ndjehen gazetarë lufte.
Pasi mbijetuan ndaj gazit lotësjellës të Sandër Lleshit, tani janë të bindur se nuk kanë frikë bombat e Putinit. Pastaj, për siguri, të gjithë zgjedhin të ndalen në kufirin e Ukrainës sepse askush nuk ka kurajon për të hyrë, dhe Kievi mbetet shumë, shumë larg.
Prej ditësh ekranet tona janë plot me gazetarë që numërojnë pa as edhe një pikë emocioni sa autobusë me refugjatë kalojnë kufirin: gjithësesi disi më mirë se në 1997 dhe më pas në luftën e Kosovës, kur jo vetëm drama e luftimeve, por edhe tragjedia e refugjatëve u tregua nga shumë gazetarë tanët nga kolltuqet komode të Rognerit.
Sot moda është të shtiresh se po shkon në Ukrainë dhe në këtë mënyrë, pas analistëve që nuk logjikojnë dhe gazetarëve investigativë që nuk investigojnë, shpërtheu moda e turistëve të luftës me mikrofon në dorë. Një rast i mrekullueshëm për ca selfie të reja heroike. Në vend të jelekut antiplumb, xhupi moncler.
Në ekran mungon vetëm ai më i famshmi nga të gjithë që duket se po vërtitet mes kufirit ukraino-polak në kërkim të kultivimeve të kanabisit. E megjithatë kulmin e arriti mbrëmë Blendi Fevziu që zgjodhi të shkojë në kufirin polak për të intervistuar Edi Ramën që ndodhej në Tiranë. (shqiptarja.com)