Spartak Ngjela komentoi mbrëmjen e djeshme zgjedhjet e pjesshme lokale të cilat u mbajtën për të zgjedhur krerët e 6 bashkive të vendit.
Duke folur për pjesëmarrjen e ulët në Shkodër, Ngjela tha se ky kishte qenë një plan i socialistëve të cilët sipas tij nuk donin të fitonin pasi kryeministri Edi Rama mbështeste ish kryeministrin Sali Berisha.
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Vorë ku fitues u shpall kandidati i PS me numrin më të lartë të votave, avokati tha se kjo ishte një shenjë e keqe për PD-në zyrtare dhe shtoi se duhet të kishte një lloj retorike të mbajtjes së përgjegjësisë nga ana e kryedemokratit Basha.
Ngjela: Ka diçka, në zgjedhje nuk kanë dalë as socialistët në Shkodër, sepse nuk duan të fitojnë. Kanë dashur të fitojë Saliu se Rama është me Saliun. Por ajo 20 e ca përqind që thonë këta, ajo nuk i jep fitoren madje mund të jenë pavlerë.
Atje zgjedhjet duhet të jenë pa vlerë nëse janë më pak se 50% e pjesëmarrësve që kanë votuar. Për këtë duhet të ketë një qëndrim se kam parë një përqindje shumë të ulët në pjesëmarrje se ashtu degradohet procesi i votimit. Do të thotë se njerëzit nuk pranojnë asnjërin prej krahëve.
Pyetje: Rezultati në Vorë, ku u shpall fitues kandidati i PS, Blerim Shera, si e shikoni këtë situatë?
Ngjela: Shenjat janë që partia Klasike nuk është mirë. Megjithatë Vora nuk ka shumë lidhje me elektoratin tjetër. Është specifikë e veçantë Vora sepse ka interesa të ngushta brenda, megjithatë, nuk është shenjë e mirë për PD-në klasike.
Opozita nuk është problem në kuptimin e keq të fjalës, por është në krizë, një krizë të cilën e ka krijuar Saliu.