Nga Skënder Minxhozi/
Tani që sheshi foli, të gjithë e dimë se Lulzim Basha bëri një gabim të madh më 26 maj. Njërin ndër shumë gabimet e ngjashme që ka bërë këto vite, poshtë zyrave të Edi Ramës. Thirri rreth vetes popullin opozitar për të treguar sesi përkrahësit e tij e përjetojnë aferën e audiopërgjimit-akuzë ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt. Dhe populli opozitar foli. Tha atë që Basha, Berisha dhe Kryemadhi me siguri nuk do të donin ta kishin parë dhe dëgjuar: sherri “Xhafaj” ka pak rëndësi për votuesin e djathtë. Pa folur më pas për indiferentët dhe kundërshtarët, të cilët ju drejtuan plazheve, ndërkohë që lideri demokrat ngrinte zërin në kupë të qiellit te këmbët e zyrës bosh të Edi Ramës.
Debati për aferën “Babale” kishte marrë prej javësh formën e tij më të ndezur, duke u kthyer në një kokëçarje për qeverinë. Sherre televizive pafund gjatë gjithë javës, akuza eksplozive nga njëra anë dhe tjetra, tendosje maksimale e të gjithë sistemit politik e mediatik të Tiranës. Dhe papritur Lulzim Basha pati idenë të na tregojë se çfarë mendojnë për këtë gjë, ata që janë në mes: njerëzit e thjeshtë. Në vend që ta linte të maisur sa më gjatë sherrin e Babales në vitrinën e medias dhe sallat e politikës, ai pati tundimin t’i japë kësaj historie të vetem përmasë që nuk e kishte: masivizimin. Duke e dëmtuar me dështimin publik, edhe vetë skandalin për të cilin qe investuar aq shumë.
Sfida për sheshin ka qenë tradicionalisht sfidë për pushtetin në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit. Dhe opozita e humbi edhe një herë tjetër përballjen me indiferencën e shqiptarëve, por edhe me gabimet e saj taktike që e çojnë nga njëra protestë e gabuar tek tjetra. Sepse sot, në vend që të kishim një gjysëm-proteste, për opozitën do kishte qenë njëmijë herë më mirë të kishte dalë me konferencat e zakonshme të shtypit apo statuset kërcënuese në Facebook. Morali i fabulës është i thjeshtë dhe iu rikthye edhe një herë Lulzim Bashës si një bumerang i hidhur: një protestë e munguar është shumë më e mirë se një protestë e dështuar!