Rritja e çmimit të naftës brenda më pak se 5 ditëve, ka filluar të sjellë edhe pasojat e para në vendin tonë. Transporti urban në kryeqytet ka shkurtuar numrin e autobusëve që nxjerr çdo ditë në qarkullim, duke bërë që dhjetëra qytetarët të presin për minuta të tëra në stacion.
Pamjet nga disa prej stacioneve në Tiranë, më konkretisht në zonën e Tufinës, te Kthesa e Kamzës apo në Kinostudio, flasin vetë. Qytetarët janë detyruar që të shkojnë në punë sot vonë për shkak të autobusëve që nuk kanë ardhur në orar, për të cilët nuk ka pasur më herët një njoftim nga ana e kompanive se do të merrnin këtë vendim.
Më herët, Shoqata e Transportit ka ‘kërcënuar’ se nëse nuk do i plotësohen kërkesat e tyre (rimbursimi i TVSH dhe i kategorive me aftësi të kufizuar, heqja e akcizës 37 lekë/litër dhe heqja e taksës së qarkullimit në karburant), do të pezullonin punë n në 1 mars, por kur kjo nuk ndodhi, kanë marrë një tjetër vendim që ka ndikuar në përditshmërinë e qytetarëve, duke ulur numrin e autobusëve.
Më herët, ato paralajmëruan rritje të çmimit të biletës për linjat brenda qytetit, e ndërsa ka pasur qytete si Fieri apo Berati që tashmë është bërë fakt ku për të shkuar në rrethina apo jashtë qytetit është reflektuar një rritje me të paktën 20 lekë.