Ish-kryeministri Sali Berisha tashmë ka me çfarë të mburret me luftën që ka nisur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse Partia Socialiste fitoi 5 nga 6 bashkitë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Berisha mori bastionin historik të demokratëve, Shkodrën, ndërsa Lulzim Basha i dha Partisë Demokratike një rezultat katastrofik duke u renditur poshtë liderit historik të demokratëve.
Zgjedhjet e së dielës, ndonëse vendore dhe të pjesshme, tërhoqën vëmendjen duke qenë se në një farë mënyre përfaqësonin një lloj testi elektoral.
Nga njëra anë për socialistët, që kanë hyrë në mandatin e tyre të tretë. Nga ana tjetër, dhe më së shumti, për Partinë Demokratike e cila prej muajsh po përjeton përçarjen e saj më të madhe, pasi ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, nisën një lëvizje për të marrë drejtimin e kësaj force politike, dhe u përfshinë në garë me kandidatë të tyre, ndonëse formalisht nën koalicionin “Shtëpia e lirisë”, që mbante siglat e LSI-së dhe PDK-së.
Berisha dje gjatë daljes në media u krekos dhe u fry si gjel, që falë betejës së tij kundër PD, së bashku me Ilir Metën, e gjithë opozita me PD-në së bashku kanë marrë rreth 15 për qind më pak vota në të njëjtat zona se sa një vit më parë, duke lejuar në këtë mënyrë Edi Ramën të marrë fitore historike.
Por mesa duket ish-kryeministri me ato që deklaroi një ditë më parë, nuk e kishte betejën me Edi Ramën, ashtu siç e sulmonte dhe e paralajmëronte në çdo dalje televizive se do ta rrëzonte nga pushteti, por për të treguar fuqinë që ka tek qytetarët, për të hedhur poshtë SHBA-të si edhe për të treguar se fajin e ka Lulzim Basha që ka çuar opozitën në disfata të njëpasnjëshme. Madje, këtë fitore ai do ta përdorë për t’i marrë partinë edhe Lulzim Bashës, të cilën e ka pohuar dje gjatë një deklarate për mediat.
Sfida ndaj SHBA-ve
Ish-kryeministri Sali Berisha sfidoi ditën e djeshme ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim pas fitores në Shkodër, duke thënë se populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë. “Të bashkohemi në PD e rithemeluar dhe ta shtrijmë në gjithë Shqipërinë”, tha ish-lideri historik i PD-së. Ai gjithashtu paralajmëroi hapa të tjerë në vijim, por pa zbuluar më shumë detaje.
“Në ditët në vijim do të njiheni me gjithë hapat tonë”, tha Berisha. Reagimi i tij vjen në një linjë tjetër nga SHBA, të cilët që pas shpalljes “Non Grata” vendosën që të mos kenë asnjë takim me ish-kryeministrin, por edhe të njohin si opozitë të vërtetë, dhe kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Bashën.
Gjithashtu Yuri Kim, u shpreh pak ditë përpara zgjedhjeve duke ju rikujtuar qytetarëve, por si fillim kandidatëve se sponsori i tyre, Sali Berisha, është i shpallur “Non Grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara dhe ajo nuk kuptonte se çfarë po u premton ai votuesve.
Pavarësisht thirrjeve të DASH, Sali Berisha vazhdon sërish të ftojë zyrtarët amerikanë të publikojnë për shqiptarët të gjitha provat ndaj tij, duke shtuar se nëse kjo ndodh ai ndërpret betejën e tij. I sigurt për pozitën e tij, ai ka sfiduar SHBA dhe zyrtarët e DASH duke deklaruar se do të vazhdojë betejën e tij duke u sugjeruar të rishikojnë vendimin e tyre për shpalljen “Non Grata”. /Elmaz Bogdani