Manjati i mediave, Rupert Murdoch, i bëri thirrje Facebook-ut dhe Google-it për të mbështetur financiarisht lajmet që kalojnë në platformat sociale. Në një deklaratë, shefi ekzekutiv i News Corporation, i kërkoi rrjetit më të madh social t’u paguajë mediave të besuara një taksë të ngjashme me atë që kompanitë kabllore u paguajnë televizioneve me pagesë.
“Kam një propozim që realisht njeh investimin dhe vlerën sociale të gazetarisë profesionale. Ka ardhur koha të shqyrtojmë një rrugë tjetër. Nëse Facebook-u dëshiron të njohë botues të besuar, atëherë ai duhet t’u paguajë atyre një taksë të ngjashme me modelin e zbatuar nga kompanitë kabllore. Padyshim botues të tillë po e rrisin vlerën dhe integritetin e Facebook-ut përmes lajmeve dhe materialeve të tyre, por nuk po shpërblehen siç duhet për shërbimin e tyre”, tha Murdoch.
Ky propozim vjen vetëm pak ditë pasi Facebook-u njoftoi një ndryshim në algoritme, me të cilin u jepet prioritet miqve dhe familjarëve më shumë sesa mediave.
Bursa e Wall Street ishte ndër të parët që nuk e priti mirë këtë lajm, pasi do të ulte kohën e kaluar në rrjet, që do të thotë më pak kohë për të parë reklamat që qarkullojnë aty.
Ky zhvillim erdhi pas debatit që u hap në lidhje me besueshmërinë te lajmet në platformat sociale si Facebook-u. Përhapja e lajmeve të rreme në internet dhe veçanërisht në rrjetet si Facebook dhe Tuiter, u pa si një faktor që mund të ketë ndryshuar rrjedhën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në fund të 2016-s.
Hyrja e Facebook-ut në botën e mediave dhe shpërndarja e artikujve që nisi në 2015-n ka nxitur një konsum të pangopur me lajme në këtë platformë. Sipas institutit PEW, 2/3 e maxhorenëve në SHBA informohen përmes faqeve në rrjetet sociale. Kjo ka nxjerrë jashtë loje media që kërkojnë lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, për të ruajtur besueshmërinë.