Zv/presidenti i Bashkimit Europian dhe njëkohësisht Përfaqësuesi i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell konsideroi se lufta e Rusisë me Ukrainën ka krijuar nevojën që Europa të bashkohet akoma më shumë dhe të përshpejtojë proceset e anëtarësimit në BE.
Në një intervistë dje në Shqipëri, Borrell theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithmonë në krye të axhendës së zgjerimit të Brukselit dhe se influence ruse në Ballkan ka nxitur BE që të angazhohet më tepër në procesin e integrimit të këtij rajoni. “Është momenti i duhur, shumë i duhur.
Siç e dini po zhvillohet një luftë. Ka shumë influencë ruse në Ballkan. Është moment kritik për procesin e zgjerimit. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm. Ai ka qenë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian dhe vijon të jetë po aty, por ama ka disa ngjarje që janë katalizatorë të historisë, disa ngjarje që ndryshojnë marrëdhëniet ndërmjet aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm”, u shpreh fillimisht Borrell.
Lidhur me ndikimin e luftës Rusi-Ukrainë në politikën e zgjerimit të BE, zyrtari i lartë spanjoll theksoi se lufta në Ukrainë ka dhënë mesazhin se Europa e Bashkuar nuk duhet të neglizhojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe që “kontinenti i vjetër” të bëhet më i bashkuar dhe i fuqishëm në të ardhmen.
“Lufta në Ukrainë është kambanë alarmi për Evropën. Lufta tregon nevojën për më shumë bashkim, nevojën që Ballkani Perëndimor të mos lejohet të mbetet pas në lidhje me zhvillimin evropian. Lufta në Ukrainë tregon nevojën që Evropa të jetë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të përshpejtojë disa procese që kanë mbetur pas. Kështu besoj se ky është një rast i mirë, është moment historik”, u shpreh diplomati madhor i BE, Josep Borrell.