Ilir Meta kërkoi nga autoritetet shtetërore që të angazhohen në luftën ndaj veprimtarive abuzive të përmbarimit. Në një takim që zhvilloi dje me kryetarin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore Privatë, Tedi Malaveci dhe Këshillit Drejtues, Admir Beqirin, kreu i shtetit tha se është njohur me shqetësimet e mijëra qytetarëve për përmbushjen e detyrimeve për marrjen e kredive nga institucionet jobankare.
Meta theksoi se do ta ndjekë këtë fenomen me vëmendje duke kërkuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore përkatëse.
Ai i dha rëndësi mbrojtjes së qytetarëve që shlyejnë kredi në institucione jobankare dhe vuajnë pasoja të mëdha ekonomike për shkak të rrezikut të kërcënimit nga këto aktivitete të paligjshme. “Prita në një takim përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, kryetarin z.Tedi Malaveci dhe anëtarin e Këshillit Drejtues, z.Admir Beqiri.
U njoha prej tyre me shqetësimet e mijëra qytetarëve, veçanërisht nga shtresat në nevojë, të cilët hasin vështirësi për të përmbushur detyrimet e shitura si të transferuara, për mbledhje nga institucione financiare jobankare, në mungesë transparence, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për ta.
Do të ndjek me shumë vëmendje problematikën, në ballafaqim me të gjithë aktorët institucionalë, për t’i nxitur ata që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në përputhje me ligjin dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve, të cilët detyrohen për t’u përfshirë në marrëdhënie të reja kredimarrjeje”, bëri me dije Meta në profilin e tij në Facebook. Në vazhdim të takimit për çështjen e sipërpërmendur, presidenti bëri apel që shteti shqiptar të ndërhyjë nëpërmjet institucioneve për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaria abuzive e përmbaruesve.
Kreu i shtetit përshëndeti angazhimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë për të denoncuar çdo aktivitet të paligjshëm të punonjësve të përmbarimit në organet e drejtësisë në mënyrë që ligji të thotë fjalën e duhur. “Nevojitet një ndërhyrje e qartë shtetërore për të ndihmuar këtë kategori, ashtu si dhe një angazhim serioz interaktiv i institucioneve përgjegjëse për të ndalur dhe ndëshkuar pa vonesa çdo veprimtari abuzive.
Mbështes angazhimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore Privatë, për referimin në organet ligjzbatuese të çdo veprimi të paligjshëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, për penalizimin edhe të vetë përmbaruesve gjyqësorë që angazhohen në veprimtari joligjore për mbledhje detyrimesh në shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve”, mbylli statusin e tij presidenti Meta.