Ministria e Drejtësisë ka kallëzuar penalisht 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë. Këtë e bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili deklaroi se Njësia Antikorrupsion ka kallëzuar penalisht 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, si dhe për 75 zyrtarë ka nisur procedimi disiplinor duke filluar nga vërejtje, deri në shkarkim nga detyra.
Në një konferencë për mediet, Manja deklaroi se Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë vazhdon të rrisë performancën e saj nga dita në ditë. “20 zyrtar dhe ish-zyrtar janë kallëzuar penalisht nga ana e Njësisë Antikorrupsion si edhe 75 zyrtar të tjerë të lartë për të cilët u kemi propozuar institucioneve përkatëse fillimin e ecurisë disiplinore duke filluar që nga vrenjtja deri në shkarkim nga detyra.
Janë kallëzuar penalisht edhe ish-zyrtarë dhe një pjesë e zyrtarëve në kadastrën e Sarandës duke filluar me ish-drejtorinë e Kadastrës së Sarandës dhe duke vazhduar deri tek specialistët përkatës. Duke kaluar te veprimet konkrete të Njësisë Antikorrupsion, janë kallëzuar penalisht edhe në Prokurorinë e rrethit Pogradec 15 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të cilët kanë lejuar dhe regjistruar një objekt brenda një shkolle në kundërshtim flagrant me ligjin.
Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare në fshatin Memëlisht, kur është konstatuar ndërhyrje në regjistrat fizikë të pasurisë së shkollës, regjistrim antiligjor i objektit brenda shkollës, regjistrim me certifikatë pronësie, përfituar nëpërmjet një leje ndërtimi të marrë në kundërshtim me ligjin. Për këtë janë kallëzuar zyrtarët përgjegjës”, tha ai.
75 zyrtar në hetim disiplinor
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh, se përveç kallëzimeve penale janë propozuar për 75 zyrtarë masa disiplinore duke nisur me Drejtorinë Arsimore Parauniversitare, ku kanë rezultuar një seri shkeljesh si dhe akte konstatimi fiktive.
“Në këtë kuadër është propozuar nisja e procedimit disiplinor për një sërë zyrtarësh në Fier, Durrës, Lezhë, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Berat dhe Elbasan. Po ashtu janë propozuar për masa administrative edhe për një seri punonjësish në institucione të ndryshme”, tha Manja.
Ndër të tjera, ministri u shpreh se një rast tjetër ka të bëjë me një denoncim që ka ardhur nga një qytetarë i zakonshëm. Sipas tij, qytetari ka bërë kallëzim për disa legalizime të bëra në vitin 2019 në Kadastrën e Sarandës, ndërsa theksoi se pas këtij denoncimi Njësia Antikorrupsion ka nisur hetimet.
“Një tjetër rasti ka të bëjë me një denoncim i ardhur nga një qytetar i zakonshëm, i cili ka dhënë informacion për disa legalizime të ndodhur në vitin 2019 e në vazhdim në Kadastrën e Sarandës, për zonën Turizëm-Kanali i Çukës.
Menjëherë inspektorët e Njësisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë kanë nisur verifikimet dhe pas hetimeve intensive në Kadastrën e Sarandës është konstatuar legalizimi në kundërshtim me ligjin i dy objekteve me sipërfaqe 70 m2 dhe 81 m2. Për këtë janë kallëzuar penalisht zyrtarë dhe ish-zyrtarët në Kadastrës së Sarandës”, tha ai.