Nga Mero Baze
Sali Berisha paska pasur një ofertë për miliona euro nga rusët, por e paska refuzuar. Në mënyrë të pazakontë këtë lajm në fakt e ka dhënë vet Sali Berisha, në përpjekje për të treguar se i ka refuzuar qysh herët paratë ruse.
Lajmi do të na gëzonte realisht sikur të kishim të bënim me dikë që nuk është i korruptuar, që ka po ashtu një reth familjar të pastër dhe të pa implikuar, dhe që ka qenë shembull i transparencës financiare në krye të vendit.
Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Sot Sali Berisha dhe familja e tij janë të damkosur si njerëz që kanë përfituar nga pushteti dhe janë nën akuzë për korrupsion domethënës.
Kjo e bën dhe më të rëndë deklaratën e Sali Berishës. Pra kemi të bëjmë me një hajdut që ka refuzuar një bakshish. Në të gjitha rastet, hajdutët e shumë-pasuruar refuzojnë oferta korrupsioni që u duken të vogla.
Sali Berisha në krye të shtetit si president, ka lejuar kontrabandën e naftës me ish- Jugosllavinë, vendosur nën embargo ndërkombëtare, siç është sot Rusia. Pra në vitet 92-95, Sali Berisha ka qenë për Miloshevicin siç është sot Bjellorusia për Putinin.
Miliona tonë naftë kaluan kufirin tonë për të mbajtur në këmbë makinerinë ushtarake të Milosheviçit, dhe kur ky operacion u ndërpre, kur mbaroi embargoja pas marrëveshjes se Dejtonit, milionat e kontrabandës së naftës prodhuan skemat piramidale, pasi të njëjtët investitorë të tij, dëshironin të vazhdonin veprimtarinë fitimprurëse.
Pas rikthimit në pushtet në vitin 2005, ky njeri e ktheu korrupsionin familjar në axhendë qeveritare. Siç shikohet nga raporti për privatizimin dhe rrëmbimin e Klubit “Partizani” nga vajza e vet, gjithë Qeveria ka qenë në dispozicion të falsifikimit dhe pastaj privatizimit të kompleksit nga dhëndri i tij, që hyri me 5 për qind e doli me 60 për qind.
Vajza e tij ofronte shërbime që përfshinin firmën e babit kryeministër, duke kërkuar 3 për qind të investimit, që në një rast të vetëm shkonte 3 milionë dollarë.
Djali i tij është i përfshirë në çdo histori toke në bregdet, që përfundonte tek shpikja e një pronari i cili ja kthente pastaj shokëve të tij me dhjetëra hektarë.
Historia e Gërdecit është dhe më e dhimbshme, pasi u vranë njerëz për të vjedhur. Dhjetëra koncesione dhe PPP, përfshi skanimin ne Dogana apo ngjyrosjen e naftës dhe qindra kontrata hidrocentralesh, janë lëshuar nën kontrollin e familjes së tij.
Për këtë arsye ky njeri dhe familja e tij janë damkosur familjarisht, si njerëz që kanë ushtruar korrupsion domethënës dhe që kanë shantazhuar drejtësinë.
Tani i vetmi kuptim që ka refuzimi i parave që i paska ofruar Rusia, është se kanë qenë të pamjaftueshme. Për një hajdut, e vetmja arsye përse mund të refuzojë një oferte për para, është kur ato janë pak dhe jo aq sa duhet.
Është dhe e vetmja arsye ta besojmë pse nuk i ka marrë atëherë. Apo ndoshta pse po ua kujton tani, që është në hall dhe kanë një armik të përbashkët.