Konflikti në Partinë Demokratike për largimin e liderit demokrat, Lulzim Basha duket se është thelluar më shumë. Deputetët e PD i kanë dhënë ultimatum liderit demokrat që të hap dorëheqjen nga drejtimi i PD, ndërsa i kujtojnë se është një lider i dështuar.
Kështu fillimisht ka qenë dje deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, i cili nga oborri i Kuvendit u shpreh se Basha e ka dorëheqjen në tavolinë. Deputeti demokrat theksoi, se PD nuk mund të vijë në pushtet as me Sali Berishën dhe as me Lulzim Bashën.
“Grupi parlamentar janë duke analizuar, kanë kërkuar një hap pas të kreut të PD-së, Bashës së bashku dhe me Berishën që ti hapet një gare të ndershme korrekte mes demokratëve sipas parimit një anëtar një votë për këdo që dëshiron të udhëheqë PD.
As Basha as Berisha nuk mund të marrë votën e elektoratit gri për ta rikthyer PD në pushtet. Basha ka thënë ofroj çdo gjë në funksion të bashkimit të demokratëve, dhe dorëheqja është pjesë e kësaj, dorëheqjen e ka në tavolinë por duhet të vlejë si një akt thirrje në mënyrë që të ketë një lloj tërheqje për të vijuar para. Është e pamundur që PD të vijë në pushtet nga Basha dhe Berisha”, tha Agalliu.
Ndërkohë, lidhur me largimin e Bashës ka folur edhe deputeti Dashnor Sula. Ai tha, se grupi parlamentar i PD është unanim në qëndrimin e tij për largimin e Lulzim Bashës.“Të mbyllet i gjithë problemi, nuk është çështje orësh, ky proces është punë ditësh, ka kohën e vet. Grupi parlamentar janë të unifikuar për sa i përket problemit nga tërheqja e Bashës, nuk është çështje orësh, por kohe.
Unë mendoj qe ai do reflektojë, do e shohim në ditët në vazhdim. Do të ishte e udhës të shkojmë me një komision bashkues deri në vitin 2023, për të zgjedhur kandidatët për zgjedhjet lokale, por një muaj pas këtyre zgjedhjeve partia të hyje në proces zgjedhjesh që nga kryetari e deri tek ato të degëve, që të jemi të përgatitur. Të përjashtohet një palë për një tjetër, kjo nuk është reale”, tha Sula.
Duma dhe Salianji i kërkojnë Bashës të dorëhiqet
Ndërkohë, edhe deputetët e PD Grida Duma dhe Ervin Salianji kanë kërkuar largimin e Bashës. Deputetja demokrate Grida Duma, deklaroi se beson që Lulzim Basha do të japë dorëheqjen. Ajo tha, se Basha do të solidarizohet duke marrë parasysh edhe kohën që ka kërkuar.
“Sa më shumë të zvarritet kjo situatë, aq më shumë agravon. Besoj se do të ketë reflektim dhe zgjidhje. Besoj se ka një solidaritet me kohën që ka kërkuar. Ka njerëz që kanë bashkëpunuar dhe e shohin normale që të presin disa ditë. A ka kuptim të pritet? Të gjitha organet duhet të respektohet, duhet të tregohet kujdes nëse janë organet e votuara”, tha Duma.
Edhe deputeti i PD-së, Ervin Salianji shprehet se beson se vendimi i kryetarit të PD, Lulzim Bashës do të jetë dorëheqja e tij. Salianji tha, se kriza e PD ka ardhur si pasojë e mungesës së besimit që kanë qytetarët shqiptarë tek ai.“Fokusin ta mbajmë tek mosardhja e kryeministrit sot.
Shmangia që i bëhet kësaj kërkese tregon papërgjegjshmërinë e qeverisë. Për sa i përket kërkesës së grupit parlamentar të PD, nuk është një çështje ultimatumesh, besoj që kryetari i PD do të dorëhiqet për t’i hapur rrugën krizës që ka PD, që për fat të keq vjen kryesisht për shkak të mungesës së besimit që kanë qytetarët shqiptarë tek Basha. Nuk ka pasur tërheqje, besoj se do të ketë dorëheqje”, tha Salianji.