Ish-zv/kryeministri, njëherësh deputeti i PS, Erion Braçe shfaqi kritika ndaj qeverisë, në veçanti ndaj ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca për menaxhimin e krizës së rritjes së çmimeve në inputet bujqësore, skemat e mbështetjes financiare për fermerët dhe çështjen e vaditjes së tokave bujqësore.
Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti socialist akuzoi qeverinë se ka lejuar krijimin e oligopolit në sektorin bujqësor ku 2-3 kompani zotërojnë gati 100% të tregut. Lidhur me shtrenjtimin 3-herë të kostove të inputeve 3 herë, Braçe theksoi se mazhoranca socialiste është dorëzuar. Sipas tij, kjo situatë favorizon grumbulluesit dhe dëmton bujqërit.
“Kemi 3 probleme të mëdha në bujqësi. I pari, çmimet e rritura deri në 3 herë të inputeve. Qeveria është dorëzuar, ka ngritur duart lart dhe po përsërit vetveten s’kemi ça bëjmë, është tregu’. Agro Blend dhe MBM zotërojnë 92% të tregut të uresë, 98% të tregut të dapit, Agrohelm dhe Besbiku 93% të tregut të nitratit.
I kemi krijuar ne me vendime këto”, u shpreh fillimisht ish-nr.2 i qeverisë së kaluar të majtë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Braçe ishte vaditja e tokave bujqësore. Ai ngriti si problem mossistemimin e kanaleve ujitëse nga qeveria. Lidhur me çështjen në fjalë, deputeti i mazhorancës socialiste theksoi se qeveria duhet të shqetësohet më tepër pasi ky vit do të ketë thatësirë më të madhe për shkak të rritjes së temperaturave që do të ndikojnë te burimet ujore të nevojshme për vaditjen e tokave të mbjella me prodhime bujqësore.
“Uji i munguar për vaditje than gjithçka. Ka problem për të siguruar ujin e ëmbël për vaditje. Kjo vjeshtë do kthehet në problem për shkak të çmimit të naftës. Një pjesë e skemave ujitëse nuk janë plotësisht të rehabilituara, mbeten qindra hektarë tokë pa vaditur e pa kulluar. Përdoren pompa, kostoja shkon shumë që nuk përballohen dot tani. Problemi më i madh që kemi do të jenë burimet ujore dhe dua të dëgjoj shumë për atë që do të jetë problemi më i madh, uji”, tha Braçe.
Braçe ironizon Krifcën
Pas përgjigjes që mori nga ministrja Krifca për sistemin e vaditjes së sipërfaqeve bujqësore, Braçe bëri replikë duke i theksuar se situata në sektorin e bujqësisë është kritike. Ai nuk ngurroi t’i përsëriste ministres se kjo krizë nuk është çështje promovimi në rrjetet sociale, por përbën shqetësim kombëtar. “E dashur ministre, bujqësia nuk merr lekë nga buxheti i shtetit, kur sektorë të tjerë marrin me miliarda.
Ky muaj po dëshmon se mbështetja vetëm tek importi po sjell pasiguri, shtrenjtim dhe panik. Janë dyndur njerëzit nëpër dyqane dhe blejnë për 6 muaj. Varësinë nuk e shmangim dot, por mund ta kurojmë me prodhimet vendase. Ne kemi para në buxhet këtë vit më shumë se çdo herë tjetër, por skemat e mbështetjes buxhetore janë kufizuese dhe konkurruese. Tregjet e inputeve nuk janë të hapura, por funksionojnë në kushte kartelë, madje zhvatëse ndaj fermerëve. Nuk është çështje videosh e fotosh por çështje e sigurisë kombëtare”, u kundërpërgjigj Erion Braçe.