Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina po nxjerrin jashtë loje Rusinë. Një Rusi e dobësuar do t’i shkonte për shtat Kinës dhe SHBA në aspektin strategjik dhe ekonomik.
Presidenti kinez po distancohet në heshtje nga ekonomia e goditur nga sanksionet ruse. “Vulën” për këtë distancim, e vendos dhe telefonata që do të zhvillohet mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut kinez Xi. Presidentët e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të bisedojnë për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë , njoftuan të dy palët, ndërsa tensionet dypalëshe për luftën dhe angazhimin e Uashingtonit me Tajvanin rriten.
Xi Jinping dhe Joe Biden do të diskutojnë “menaxhimin e konkurrencës midis dy vendeve, si dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës”, sipas një deklarate nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Tensionet janë përshkallëzuar për shkak të akuzave nga administrata Biden se Pekini po mban anën e Moskës.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar për “pasoja serioze” në përgjigje të çdo ndihme kineze për presidentin rus Vladimir Putin në drejtim të ndihmës ushtarake ose mbështetjes ekonomike për të kompensuar efektin e sanksioneve perëndimore. Pekini ka mohuar të ketë marrë anën ose të ketë ofruar ndonjë nga mbështetjen për të cilën ekipi i Biden ka paralajmëruar.
4 mënyra se si Kina po ia vështirëson në heshtje jetën Rusisë
Kina dhe Rusia shpallën muajin e kaluar se miqësia e tyre “nuk kishte kufij”. Kjo ishte përpara se Rusia të niste luftën në Ukrainë. Tani, me ekonominë e Rusisë duke u goditur me sanksione nga e gjithë bota, ka prova në rritje se vullneti dhe aftësia e Kinës për të ndihmuar fqinjin e saj verior mund të jetë i kufizuar. Pekini ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por dëshiron të shmangë ndikimin nga sanksionet që i ka denoncuar vazhdimisht si një mënyrë joefektive për zgjidhjen e krizës. “Kina nuk është palë në krizën [Ukrainë] dhe nuk dëshiron që sanksionet të ndikojnë në Kinë,” tha të martën ministri i Jashtëm Ëang Yi gjatë një telefonate me homologun e tij spanjoll.
Rubla
Sipas CNN, monedha e Kinës, Juani, nuk tregtohet plotësisht lirshëm, duke lëvizur përkundrazi brenda grupeve të përcaktuara nga zyrtarët në Bankën Popullore të Kinës (PBOC). Javën e kaluar, ata dyfishuan madhësinë e diapazonit të tregtimit të rublës, duke lejuar që monedha ruse të bjerë më shpejt. Rubla ka humbur tashmë më shumë se 20% të vlerës së saj ndaj dollarit dhe euros që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Duke lejuar rënien e monedhës ruse kundrejt juanit, Pekini nuk po i bën asnjë favor Moskës.
Rezervat
Sipas ekspertëve, ndihma më e rëndësishme që Kina mund t’i ofrojë Rusisë është përmes rezervave me vlerë 90 miliardë dollarë që Moska mban në juanë Sanksionet kanë ngrirë rreth 315 miliardë dollarë të rezervave të Rusisë – ose afërsisht gjysmën e totalit – pasi vendet perëndimore kanë ndaluar marrëdhëniet me bankën qendrore ruse. Ministri rus i financave Anton Siluanov tha këtë javë se vendi donte të përdorte rezervat e juanit pasi Moskës iu bllokua aksesi në dollarë dhe euro, sipas medias shtetërore ruse .
Bllokimi i pjesëve për avionë
Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nënkuptojnë se dy prodhuesit kryesorë të avionëve në botë, Boeing dhe Airbus, nuk janë më në gjendje të furnizojnë pjesë këmbimi. Në fillim të këtij muaji, një zyrtar i lartë rus tha se Kina ka refuzuar të dërgojë pjesë avionësh në Rusi ndërsa Moska kërkon furnizime alternative.
Ngrirja e investimeve në infrastrukturë
Banka Botërore ka ndërprerë të gjitha programet e saj në Rusi dhe Bjellorusi pas pushtimit të Ukrainës. Ajo nuk kishte miratuar asnjë kredi apo investim të ri për Rusinë që nga viti 2014, dhe asnjë për Bjellorusinë që nga viti 2020. Më e habitshme, ndoshta, është vendimi i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë me bazë në Pekin për të bërë të njëjtën gjë. Në një deklaratë në fillim të këtij muaji, ajo tha se po pezullonte të gjitha aktivitetet e saj në lidhje me Rusinë dhe Bjellorusinë “ndërsa lufta në Ukrainë po shpaloset”. Lëvizja ishte “në interesin më të mirë” të bankës, shtoi ai.