Ambasadori rus në Sarajevë, Igor Kalabukhov, ka kërcënuar se nëse Bosnja vendos të anëtarësohet në NATO do të përballet me pasoja të rënda. Rusia paralajmëroi se mund të ndiqet i njëjti skenar si me Ukrainën, e cila kërkon gjithashtu të bëhet pjesë e NATO-s.
“Nëse Bosnja dhe Hercegovina vendos të marrë pjesë në diçka, kjo është një çështje e brendshme. Por reagimi ynë është një çështje tjetër. Ne kemi treguar se çfarë presim me shembullin e Ukrainës. Nëse ka një kërcënim, ne do të përgjigjemi”, theksoi Kalabukhov.
Ambasadori rus tha se Moska aktualisht nuk ka plan veprimi për Bosnjë Hercegovinën, por do të përgjigjet duke analizuar situatën strategjike dhe gjeopolitike. “Nuk mendoj në ndonjë fantazi, apo në njëfarë realiteti, se Bosnjë-Hercegovina do të bëhet anëtare e NATO-s, kjo sepse në këtë vend nuk ka konsensus për këtë çështje dhe nuk do të jetë aq e lehtë që ky vend të marrë një vendim në këto rrethana”, tha ai.
Deklarata nga Moska u dënua ashpër nga kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komsiç. “Unë dënoj fuqishëm kërcënimet e ambasadorit rus në Bosnjë-Hercegovinë”, tha ai, duke komentuar mundësinë e anëtarësimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në NATO. Gjithashtu, reagimi kërcënues dhe i rrezikshëm i Moskës ka alarmuar dhe SHBA-në.
Në reagimin zyrtar ambasada e SHBA në Bosnjë u shpreh se këto janë kërcënime të rrezikshme, duke shtuar se askush nuk mund të futet mes vendeve të lira dhe NATO-s. “Kërcënimet e fundit të ambasadorit rus ndaj Bosnje dhe Hercegovinës janë të rrezikshme, të papërgjegjshme dhe të papranueshme”, tha në reagim SHBA.