Gazetari dhe opinionisti, Frrok Çupi sulmoi nëpërmjet një opinioni të publikuar në rrjetet sociale ish-kryeministrin demokrat, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Ai e konsideroi ish-liderin historik të PD si vëllain e diktatorit Sllobodan Millosheviçit, të korruptuar dhe të financuar nga Rusia.
Sulmet e tij ndaj ish-kryeministrit në vitet 2005-2013 erdhën dy ditë pasi Berisha përshëndeti furnizimin me gaz nga TAP-i dhe se kishte refuzuar ofertën prej miliarda dollarësh të kompanisë shtetërore ruse të furnizimit me gaz “Gazprom” për të firmosur marrëveshjen Rusi-Shqipëri për furnizim me gaz përpara 10 vitesh.
Sipas Çupit, deklarata e Berishës fsheh ryshfetin e marrë nga Moska. “Ish-kryeministër dhe ish-president, para 10 vjetësh, i paska thënë një gjë Gazpromit të Rusisë që po i ofronte miliarda dollarë, i paska thënë ‘Joooo!’. Ky tani është shpallur si zyrtari më i lartë i botës i zhytur në korrupsion ‘të madh’. Por, ish-kryeministri zgjoi një ish-marrëdhënie. Fejzbukasit po i sulen e i thonë:
‘Ok, ore, na shet dëngla, ti që i dhe naftë vëllait tënd Millosheviçit’. Edhe këta merren me ‘ish- Millosheviçin’. Shfaqen Ishat edhe ngrihet revolta alias-sovjetskaja e disa militantëve të pamend”, shkroi fillimisht Çupi. Më tej, gazetari i njohur i konsideron mbështetësit e Berishës dhe ish-zyrtarët e PD si mumje të shëmtuara.
“Gjithçka tjetër ndryshon, si në Mauzeleumin e Moskës, por Lenini aty e pranoi shëmtimin e mumjes. Vetëm kjo specie nuk ndryshon kurrë, specia ‘Ish’. Njerëzit nëpër botë nuk kanë duruar ish- burrin, ish- gruan, ish të dashurën, ish- beun, ish- përdhunuesin, ish- dallaveren, e si u duruakan mumjet e reja të Leninit?! Njësoj si me Berishën që kujtoi ish-ryshfetin Rus; dhe tani duhet të përgjigjet para hetimit”, përfundoi shkrimin e tij Frrok Çupi.