Gjykata e Rrethit të Tiranës regjistroi dje ndryshimet në statutin e PD, të realizuara në Kuvendin e mbajtur në 17 korrik 2021. Vendimi i ditës së djeshme u mor 3 muaj pasi selia blu depozitoi në organin gjyqësor të kryeqytetit statutin e ri me 11 amendimet e kryera.
Në këtë situatë tashmë, pritet që lideri demokrat Lulzim Basha të depozitojë sërish në Gjykatën e Tiranës plotësimet e statutit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 18 dhjetorit 2021, ku u vendos përjashtimi nga PD i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe sanksionimi i rregullit që në radhët e partisë më të madhe opozitare të mos ketë anëtarë dhe drejtues të shpallur “non grata” nga shteti amerikan.
I pranishëm në seancën e djeshme ishte Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa. Nëse Gjykata e Tiranës do të njohë dhe ndryshimet e Statutit të PD në Kuvendin e 18 dhjetorit, atëherë kjo do të ishte një shuplakë për ish-liderin historik të PD, pasi Kuvendi i mbajtur në Pallatin e Kongreseve anuloi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të thirrur nga Berisha në stadiumin “Air Albania”.
Beteja ligjore për statutet e PD, Basha në avantazh ndaj Berishës
Partia Demokratike ndodhet në momentin më të vështirë të historisë së vet teksa janë ravijëzuar dy fraksione në rivalitet me njëri-tjetrin: PD zyrtare e drejtuar nga Basha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD i drejtuar nga Berisha. Të dyja palët presin zgjidhjen e çështjes së përfaqësimit të partisë në gjykatë pasi në 13 dhjetor 2021, Basha depozitoi në Gjykatën e Tiranës ndryshimet e “kushtetutës” së partisë të kryera në 17 korrik 2021.
Dy ditë më pas, Komisioni i Rithemelimit të PD regjistroi ndryshimet e veta të statutit të PD, të ndërmarra në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021. Lidhur me këtë pikë delikate për të vendosur se kush e përfaqëson partinë më të madhe opozitare, drejtësia tha fjalën e parë pas vetëm 3 muajsh.
Por, pavarësisht sulmeve dhe akuzave se Komisioni i Rithemelimit po përçan demokratët duke mos përfaqësuar PD, zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 i dhanë një goditje të fortë Bashës dhe mbështetësve të tij pasi koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Komisioni i Rithemelimit të PD-LSI-PDK) u rendit si forcë e dytë në zgjedhje duke arritur të fitojë dhe bashkinë e Shkodrës dhe PD u pozicionua e fundit duke regjistruar rezultatin më të dobët në historinë e tij.
Brenda PD janë shtuar zërat për dorëheqjen e Lulzim Bashës, bashkimin me Komisionin e Rithemelimit të PD dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetar. Në fillim të 2022, Komisioni i Rithemelimit të PD bëri kërkesë që gjyqtari Agron Zhukri të mos shqyrtojë çështjen e ndryshimeve të statutit demokrat nga ky fraksion në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 me arsyetimin se Zhukri kishte konflikt interesi për shkak se bashkëshortja e tij kishte punuar në të kaluarën për ish-kryeministrin Berisha.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës hodhi poshtë kërkesën e “Foltores”. Deri tani, për ndryshimet e statutore të PD në 11 dhjetor, organi gjyqësor i kryeqytetit nuk dhënë ende një vendim. Në këtë pikë, nëse Gjykata e Tiranës njeh dhe ndryshimet statutore të PD të realizuara në 18 dhjetor, atëherë Berishës i mbeten dy rrugë: ose të pranojë humbjen në dyert e gjykatës me Bashën, ose të vazhdojë luftën politike ndaj pasardhësit të tij në selinë blu duke shpresuar për një “puç” brenda dyerve të PD.
Deri tani, Basha po fiton kohë duke premtuar se do të marrë së shpejti vendime për të ardhmen e tij dhe partisë më të madhe opozitare, por nuk ka pranuar të dorëhiqet apo të hapë garën për zgjedhjet për liderin e ri të demokratëve.