Pas rritjes në tregjet e huaja në 2 ditët e fundit, çmimi i naftës në vendin tonë është shtrenjtuar me 18 lekë për litër nga kjo e martë. Në të gjitha pikat e karburantit nafta po shitet me 221 lekë litri, ndërkohë që benzina është rritur me 5 lekë nga 206 lekë në 211 lekë për litër. I palëvizur në 93 lekë mbetet çmimi i gazit.
Kjo rritje e çmimit të hidrokarbureve është bërë i njohur për konsumatorët nga vetë pikat e karburanteve, të cilët rritën çmimin ende pa dalë vendimi i Bordit të Transparencës. Ky bord ishte mbledhur në 21 mars por në fakt vendimi u publikua me vonesë mesditën e 22 marsit. Sipas Bordit ky çmim do të jetë në fuqi për datat 22 dhe 23 mars.
Ndërkohë në tregjet e huaja çmimi i naftës bruto ka arritur mbi 116 dollar fuçia, ndërsa në orët e para të mëngjesit shkoi deri në 119 dollar. Rritje kjo që vjen pas një rënie në nivelet e para luftës në datat 15 dhe 16 mars.
Nga ana tjetër Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka bërë transparente rezervat e sigurisë, pavarësisht se kontrollet u tha se do të nisnin që në 12 mars.
Për ngritjen e bordit të Transparencës ka reaguar edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila thotë se ndërhyrja e qeverisë në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut. Sipas presidentit të dhomës Enio Jaço në Shqipëri çmimet e karburanteve kanë qenë gjithmonë të larta në raport me të ardhurat mesatare dhe kjo për shkak të politikave të cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave.
Në këtë momente sipas Jaços duhet të vlerësohet niveli i konkurrueshmërisë së tregut si dhe mund të lehtësohen përkohësisht taksat, pavarësisht se qeveria është shprehur qartë dhe e vendosur që nuk do të ndërhyjë në ndryshimin e taksave.
“Por menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë”, vijon më tej reagimi i presidentit të Dhomës Amerikane.