Bashkimi Europian ka dhënë një ultimatum ndaj vendeve europiane të cilat ende nuk kanë marrë sansksione ndaj Rusisë. Një deklaratë e tillë prek më shumë Serbinë, që është vendi “më kokëfortë” në mosmarrjen e sanksioneve ndaj Moskës pavarësisht luftës që po ndodh në Ukrainë.
Kjo nuk është hera e parë që BE ashpërson tonet në lidhje me Serbinë, pasi edhe herë tjetër i kanë bërë të qartë se mosmarrja e sanksioneve e largon vendin nga integrimi në BE.
“Kur BE-ja aprovon sanksione ose masa shtrënguese, vendet kandidate janë të ftuara të rreshtohen brenda një afat të caktuar kohor. Normalisht, bëhet fjalë për disa ditë, ose disa javë, në varësi të rrethanave. Vendeve ju jepet mundësia të shprehen brenda disa ditëve nëse do të rreshtohen ose jo me sanksionet e BE-së.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë rreshtuar në nivelin 100% me të gjitha vendimet e marra së fundmi dhe kjo vlerësohet shumë. Serbia deri tani ka vendosur të mos rreshtohet me të gjitha deklaratat dhe qëndrimet e BE-së. Ne presim që Serbia si shtet kandidat të rreshtohet me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në termat e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”, tha zëdhënësi i BE, Peter Stano.
Nga ana tjetër, Serbia jo vetëm që nuk reflekton por është krenare për qendrimin e saj pro rus. Ministri i Brendshëm serb Aleksander Vulin, është shprehur në një takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksander Bocan Kharchenko se ndihet krenar që Serbia është shteti i vetëm në Evropë që s’i ka vendosur sanksione federatës ruse.
“Serbia kurrë nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-Rusi që pasuria e shtetasve rusë dhe pasuria e federatës ruse vidhet njëjtë sikurse s’do t’i ndalojë mediat ruse e as s’do t’i përjashtojë fëmijët rusë nga shkollat dhe as fshirjen e shkrimtarëve e shkencëtarëve rusë nga librat shkollorë.
Serbia e udhëhequr nga presidenti Vuçiç është një shtet i pavarur dhe sovran që i zgjedh vet miqtë e saj. Serbia s’do të harrojë asnjëherë që Federata Ruse vendosi veton në Këshillin e Sigurimit në vitin 2015 pas një marrëveshje mes presidentëve Vuçiç e Putin që parandaloi miratimin e një rezolute sipas të cilës populli serb do të deklarohej se populli i parë gjenocidal në historinë e botës”, tha Vulin./ CNA.al