Ditën e sotme në Bruksel mblidhet Këshilli Europian në nivelin e ministrave të Brendshëm, ku pritet të diskutohet pikërisht qasja e Bashkimit Europian ndaj refugjatëve që vijnë nga Ukraina e shkatërruar nga agresioni ushtarak rus.
Flitet për të paktën 6 milionë persona, një “det” i papritur njerëzish që rrezikon të paralizojë strukturat e përgatitura më parë për refugjatët që vinin nga skenarë të ngjashëm, si Siria, Afganistani etj.
Të mërkurën e kaluar, Këshilli Europian dakordësoi një fond prej 3.5 miliardë eurosh për t’u përballur me krizën humanitare, por kjo shifër nuk duket aspak e mjaftueshme.
Polonia është vendi më i ekspozuar, me gati 3 milionë të ardhur deri më tani, dhe nuk surprizon që pikërisht Varshava zyrtare së bashku me Berlinin ka propozuar paketa shtesë për refugjatët.
Ndër të tjerat, mendohet të kërkohet një financim direkt për çdo emigrant, që do të marrë 1 mijë euro çdo gjashtë muaj si mbështetje, por edhe përdorimin falas të mjeteve të transportit, veçanërisht për mjetet që sigurojnë një transferim në një vend tjetër europian, që në rastin polak është pothuajse gjithmonë Gjermania e afërt.
Fakti që tani Polonia është shndërruar menjëherë në promotorin kryesor të kësaj pakete ndërron totalisht rregullat e lojës në Bruksel, për sa i përket politikave migratore.
Ka qenë pikërisht Polonia, së bashku me Hungarinë, që vitet e kaluara kanë bllokuar historikisht një plan të hartuar enkas për emigrantët, duke përdorur retorikën e “pushtimit” nga refugjatët dhe cenimin e identitetit europian.