Giuseppe Busia, presidenti i Autoritetit Kombëtar italian të anti-korrupsionit për politikën dhe shoqërinë shqiptare, ka deklaruar se politika dhe qytetarët duhet të impenjohen në luftën ndaj korrupsionit në vend.
Në një intervistë televizive, Busia e konsideroi shumë të mirë bashkëpunimin me institucionet shqiptare të luftës ndaj korrupsionit, ndërsa theksoi se të gjithë duhet të kuptojnë se kostot e korrupsionit janë shumë të larta për shoqërinë ndaj parandalimi i fenomenit përbën një element kyç.
“ Politikanët duhet të kuptojnë se gjithmonë në terma afatgjatë të luftosh korrupsion shpërblehet, sepse është një avantazh për qytetarët, pra ata që arrijnë të krijojnë institucione me transparencë, konkurrencë, ndihmojnë ndërmarrjet, ndihmojnë shoqërinë civile të rritet, pra kanë dhe një avantazh politik që u kthehet pas me të drejtë, në periudhë të shkurtër ndoshta mund te ketë kontraste, por në periudha afatgjatë kjo është puna që duhet bërë, kush investon në luftën anti-korrupsion edhe në aspektin politik, nëse e bën me impenjim dhe duke arritur rezultate, ka pa dyshim avantazhe, pra politika, qytetarët duhet të kërkojnë një impenjim të politikës në luftën ndaj korrupsionit”, tha ai.
Ai u pyet edhe se si e sheh transparencën e akteve të administratës publike shqiptare. Busia tha, se ka nevojë për më shumë kontroll mbi administratën.“Ka shumë eksperienca shumë të mira të transparencës në disa sektorë, ka nevojë me shumë gjasa për përmirësime në sektorë të tjerë, duhet që informacionet jo vetëm të publikohen por edhe të shpjegohen, të bëhen të disponueshme dhe të kuptueshme, sepse kjo krijon pjesëmarrje, krijon bashkëndarje nga ana e qytetarëve.
Nga ana tjetër është nevoja që qytetarët të mësojnë t’i përdorin këto instrumente, jo vetëm për të kontrolluar administratën por për të marrë pjesë në vendimmarrjet e administratës, për ta ndjerë administratën si shtëpinë e tyre”, tha ai.