Vladimir Putin deklaroi se vendet jo mike, që nënkupton ato shtete të cilat kanë marrë sanksione ndaj Rusisë, do ta blinin gazin me monedhën rubla. Perëndimi pretendon se një akt i tillë nuk është juridikisht i drejtë, pasi për furnizimin me gaz dhe detajet e blerjes ka kontrata paraprake.
Ndërkohë, dje Putin nënshkroi një dekret presidencial që parashikon se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus duke nisur nga sot. Në rast të kundërt në dekret parashikohet ndërprerje e kontratës. Presidenti rus ka shpjeguar se duke filluar nga sot duhen hapur llogari të veçanta bankare ruse për të transferuar fonde të huaja dhe më pas banka do t’i përdorë ato për të blerë rubla.
“Nëse nuk bëhen pagesa të tilla, ne do ta konsiderojmë këtë një mospagim nga ana e blerësve, me të gjitha pasojat që pasojnë. Askush nuk na shet asgjë falas, dhe ne nuk do të bëjmë as bamirësi, domethënë, kontratat ekzistuese do të ndërpriten”, shpjegoi Putin.
Evropa kundër Putinit
Reagimi i e Evropës ishte shumë i shpejtë. Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca kanë refuzuar kërkesat e Rusisë që vendet europiane të paguajnë gazin rus në rubla, si një shkelje e papranueshme e kontratave, duke shtuar se kjo përbën “shantazh”.
Gjatë një konference për shtyp, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se nuk kishte parë ende një kontratë të nënshkruar nga presidenti Valdimir Putin që detyron vendet europiane të paguajnë gazin në rubla, duke shtuar se Gjermania ishte e përgatitur për të gjithë skenarët, duke përfshirë ndalimin e importeve të gazit rus në Europë . Ministri francez i financave Bruno Le Maire tha se Franca dhe Gjermania kanë kundërshtuar kërkesën e Rusisë.
Zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe refuzon të paguajë me rubla për gazin rus. Zëdhënësi tha se Sekretari Britanik i Energjisë Kwasi Kwarteng e kishte bërë të qartë se “kjo nuk është diçka që Mbretëria e Bashkuar do të shqyrtonte”.
Joe Biden: 1 milion fuçi nafte në ditë në gatishmëri
Presidenti amerikan Joe Biden, ka njoftuar ditën e djeshme, se për gjashtë muajt e ardhshëm SHBA do të nxjerrë 1 milion fuçi nafte nga rezervat strategjike të saj. Shtetet e Bashkuara do të rimbushin rezervat strategjike të naftës pasi të përfundojë urgjenca dhe çmimet e energjisë të kenë rënë, thotë një zyrtar i administratës amerikane , duke theksuar se “fuçitë e lëshuara do të jenë një urë për në kohën e luftës”. Sipas asaj që mësohet, rezervat do të rikthehen me naftë me 80 dollarë/fuçi.
Me një lirim rekord prej 180 milionë fuçi, rezervat e naftës në SHBA do të bien, sipas disa vlerësimeve, në nivelin më të ulët që nga viti 1984. Por ky publikim rekord do të sigurojë një sasi që do të shërbejë si urë lidhëse deri në fund të vitit, kur prodhimi “vendas pritet të rritet”, thekson administrata Biden.
Bie nafta pas ndërhyrjes së SHBA
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie pas raportimeve se SHBA do të lëshojë 180 milionë fuçi të naftës nga rezervat e saj emergjente, derisa investitorët po presin nëse prodhuesit kryesor të naftës do të rrisin prodhimin e tyre mujor mes pasigurisë së ofertës.
Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent mëngjesin e djeshëm u tregtua me 107,77 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 3,29 për qind pas mbylljes së mëparshme me 111,4 dollarë për fuçi. Standardi amerikan Ëest Texas Intermediate (ËTI) u tregtua me 103,25 dollarë për fuçi, me një humbje prej 4,23 për qind pasi u mbyll me 107,82 dollarë për fuçi. Gjithashtu menjëherë pas raportimeve, tregtia e mëngjesit në Azi pa standardin e naftës në SHBA, në West Texas Intermediate me 5.6% më të ulët, ndërsa Brent Crude u ul me 4.8% më të ulët.