Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë aleati më i rëndësishëm dhe më nevralgjik që ka Shqipëria. Këtë viti shënohen plot 100 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Këto raporte vëllazërore e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë, duke bërë që vendi jonë të përfitojë mbështetje të gjithë anshme nga Uashingtoni dhe të ndihemi më të sigurtë krah tij.
Por përveç mbështetjes që SHBA po i jep Shqipërisë, amerikanët do të mbahen mend në këto 30 vite, si e vetmja fuqi që nxori jashtë loje ish-kryeministrin Sali Berishën.
Kjo pasi më 19 maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli familjarisht “non grata”, ish-kryeministri Sali Berisha. DASH publikoi asokohe në faqen zyrtare vendimin e plotë ku thuhet se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin.
Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se, nëpërmjet këtyre veprimeve, ish-kryeministri ka pasuruar aleatët e tij politikë dhe familjen e tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar. Në vendimin e tij, Blinken ka përcaktuar si të papërshtatshëm edhe bashkëshorten e ish-kryeministrin Liri Berisha, djalin Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi.
“Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës.
Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies.
Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet në vendimin e DASH.
Shpallja “non grata” e Berishës, DASH reagon për gazetën “SOT”
Ndërkohë dy ditë më pas gazeta iu drejtua DASH, për të mësuar më shumë detaje rreth këtij vendim. Gazeta iu drejtua me një e-mail një prej zëdhënësve të DASH duke i drejtuar këtë pyetje:
“Z. Berisha, në një reagim në Facebook mohoi pretendimet e Departamentit të Shtetit se ai është i përfshirë në korrupsion.
A keni ju prova që ish-kryeministri është i përfshirë në korrupsion dhe ka përdorur pushtetin e tij për të pasuruar familjen e tij”?
DASH në përgjigjen për gazetën shprehet se Sekretari Blinken, para se të ndërmerrte këtë veprim ka marrë në dorë informacione tepër të besueshme që vërtetojnë përfshirjen e ish-kryeministrit në korrupsion. “Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të rëndësishëm, veçanërisht gjatë shërbimit të tij si Kryeministër i Shqipërisë.
Ky korrupsion minoi shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut shqiptar në institucionet, proceset dhe zyrtarët e qeverisë së tyre”, shprehet DASH. Më tej në reagimin e tij, zëdhënësi i DASH shprehet se gjithë këto vite ka pasur raportim të vazhdueshëm për përfshirjen e Berishës në afera korrupsioni. Madje, ai shprehet se bëmat e ish-kryeministrit vijojnë të bëjnë jehonë edhe sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.
“Korrupsioni i Berishës është raportuar gjerësisht në raportimin lokal, rajonal dhe ndërkombëtar të OJQ-ve dhe shtypit, si dhe në hetimet që lidhen me përpjekjet antikorrupsion të qeverisë shqiptare. Ai është i njohur gjerësisht që ka përdorur fuqinë e tij për përfitimet e tij, për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij, kur veprimtaritë e tij të raportuara janë vënë nën hetim ose vëzhgim, ka treguar se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe llogaridhënies.
Veprimet korruptive të Berishës vazhdojnë të bëjnë jehonë edhe sot në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin”, u shpreh DASH për gazetën “SOT” më 20 maj të vitit 2021. /Rigels Seliman