Zv/ndihmës sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar theksoi pak javë më parë se do të ketë pasoja të rënda nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur “non grata”, për të qenë udhëheqësi i saj.
Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, zyrtari i lartë i SHBA Escobar është shprehur se nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me Partinë Demokratike nëse Sali Berisha merr drejtimin e saj.
“Nuk takohemi me të. Është i shpallur “non grata”. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj.
Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie e pjekur mes aleatëve në NATO. Nuk është në dorën tonë të zgjedhim udhëheqësit tuaj, por do të nxisja njerëzit të mendojnë me shumë kujdes se cilët udhëheqës zgjedhin, se në cilën rrugë duan të jetë Shqipëria.
Dhe shpresojmë se përgjigjja do të jetë një rrugë me fokusin europian, përkushtuar ndaj NATO-s, dhe të përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit”, tha ai. Ai ka hedhur poshtë edhe deklaratat e ish-kryeministri Sali Berisha i cili ka ngritur pretendime se vendimi i DASH është hakmarrje politike e Soros. Escobar, tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Absolutisht nuk është rasti. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme. Sepse nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë!
Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendimmarrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të”, nënvizoi diplomati Escobar.