Monika Meta dhe Aurela Basha/ Këto janë dy gratë që bëjnë ligjin në kampin opozitar. Po ribotojmë edhe një herë artikullin që tronditi vendin në pranverën e vitit 2012 kur LSI ishte e dashuruar me PD-në, jo te Lul Bashës por të Sali Berishës.
Një festë e shfrenuar luksi, me biznesmenë dhe politikanë, në një nga hotelet më të shtrenjta të kryeqytet, po vazhdon të trondisë opinionin publik për nga shifrat e bëra publike. Rreth 150 pjesëmarrës, prej të cilëve rreth 100 biznesmenë, janë ftuar të kontribuojnë për një dhuratë super të shtrenjtë që Monika Kryemadhi u ka kërkuar për ditëlindjen. Bëhet fjalë për një gjerdan që kushton 250 mijë euro, një shifër tronditëse që, u sigurua falë disiplinimit të biznesmenëve që do të çonin dhurata.
“Na u rekomandua që të mos blinim dhurata, por të lidheshim me organizatorin dhe të kontribuonim në euro, për të arritur kuotën që nevojitej”, i tha një biznesmen pjesëmarrës gazetës TemA.
Disa biznesmenë janë ish miq të çiftit Meta, por të tjerë janë viktimë e rrethit të biznesit të tyre, që është nën kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë. Shumica e tyre ishin njerëz që kanë përfituar koncesione, ose që kanë raporte me pushtetin e LSI-së në qeveri.
“Na u tha prerë që nuk duhet të blini dhurata pa pyetur”, thotë një tjetër biznesmenë, të cilët qendrojnë anonimë nga frika. “Na caktuan një koordinator dhe ne paguam aq sa kërkuan. Askush nuk lejonte dhurata pa marrë më parë miratimin”, vijon ai.
Luksit të shfrenuar dhe milionave i është shtuar dhe garnitura politike. Në krye të valleve ishte gjithmonë Aurela Basha, gruaja e Lulzim Bashës, familja e të cilit ja di për nder familjes Meta grabitjen e mandatit në Tiranë. Meta dhe Basha janë tashmë një pol pushteti brenda pushtetit të madh të PD-së, dhe po lobojnë për të shmangur Topallin nga kandidatura për presidente. Në valle shpesh me të është parë dhe ministrja Majlinda Bregu.
Surprizë ishte pjesmarrja në festë e Sokol Olldashit dhe Flamur Nokës. Olldashi, një target sulmesh prej Metës qysh prej një viti, dhe natyrisht në një raport hipokrizie marredheniesh me Bashën, është shfaqur aty për të qenë politikisht korrekt me festën e kundërshtarëve të tij.
Flamur Noka, praktikisht sekretari organizativ në PD, ishte aty thuajse si përfaqësues zyrtar i PD-së. Berisha, i cili ka vizituar familjen Meta në ditët para se të zhvillohej gjyqi, nuk ka denjuar të provojë ëmbëlsirat e Monikës, siç kishte dëshirë t’i provonte para gjyqit, ndoshta për shkak të pranisë së biznesmenëve dhe informacionit për luksin e shfrenuar.
Binte në sy mungesa e Topallit.
Si për ta bërë më groteske festën, një këngëtar kishte bërë një këngë kushtuar Monikës, dhe e këndoi bashkë me të, ndërsa një grup humoristësh ishin pjesë e zbavitjes së të ftuarve.
Pjesë nga teksti i këngës kushtuar Monikës
Dritë jap, kam ekzistoj
Krijohet zhurmë dhe dëgjohet “unë jetoj”
Unë isha jam dhe prapë, nesër do të jem
Vërtet arrita por kam dhe shumë unë për të dhënë akoma
Sepse unë jam fituese
Sepse ju jeni një fitues
Sepse ne jemi fitues
Sepse të gjithë bashkë fitojmë
Je yll bote.
/TemA