Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në një konferencë të përbashkët për media, ka thënë se Kosova është pala konstruktive në raport me dialogun, dhe se sipas tij njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e jo në fund.
“Ne duam të kemi rezultate konkrete në dialog, dhe të bashkëpunojmë shumë”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit, në takim me kancelarin gjerman ka potencuar se ka kërkuar nga ky i fundit shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Koha është të thuhet mjaftë është mjaftë, Kosova ka kryer detyrat e saja, tani Bashkimi Evropian duhet ta bëjë detyrat e saj. Në korrik bëhen katër vite prej që Komisioni evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për herë të dytë”, ka deklaruar Kurti.
Më tej Kurti ka bërë të ditur, se Kosova është mbështetëse e Procesit të Berlinit dhe tregut të përbashkët rajonal, e assesi iniciativave të cilat janë paralele.
Kurti në fjalimin e tij ka folur edhe për suksesin njëvjeçarë të qeverisjes së tij.
“Kosova vitin e kaluar ka pasur rritje ekonomike, të hyrat tatimore janë rritur. Buxheti është rritur dhe eksportet janë rritur, janë rritur edhe investimet nga Gjermania”.
Ballkani i Hapur është i panevojshëm
Për Kurtin, Evropa është e ardhmja e Kosovës, dhe se sipas tij të gjitha iniciativat janë të mirëseardhura kur në të merr pjesë BE-ja.
“Të gjitha iniciativat e tjera ne nuk i mirëpresim dhe konsiderojmë që janë të panevojshme”.