SPAK pritet që të ketë një komunikim me autoritet italiane për sa i përket dëshmisë të bashkëpunëtorit të drejtësisë 54-vjeçarit, Antonio Guastalegname, pjesë e organizatës mafioze Ndrangheta”, ku ka treguar se grupet shqiptare mbështeten nga zyrtarë të lartë shtetëror, përfshirë një ministër.
Burime zyrtare nga Struktura Antikorrupsion bënë me dije se SPAK do komunikojë me homologët italianë për të sqaruar situatën dhe për të marrë informacion nëse ka diçka konkrete për përfshirjen e shtetasve shqiptarë në aktivitete kriminale në shtetin fqinj.
SPAK ka hetuar edhe më parë lidhjet e “Ndranghetës” me vendin tonë
Ky nuk është rasti i parë ku autoritet tona marrin informacion e indicie për të regjistruar procedim penal në vendin tonë për shtetas shqiptar si të përfshirë në aktivitet kriminal në vendin fqinj. Rasti i parë është ai i ish-ministrit Tahiri, ku ky i fundit pas përgjimeve në Itali të grupit të Habilajve u mor i pandehur e më pas u dënua me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.
Ndërsa një vit më parë u regjistrua procedim penal në Shqipëri për përgjimet e publikuara nga prokuroria por dhe mediat italiane lidhur me komunikimet e klanit mafioz italian Ndragheta me disa emra të rëndësishëm në vendin tonë. Në atë kohë SPAK tha se ka nisur hetimin me datë 25.01.2021, por akoma nuk është mësuar se çfarë ka ndodhur. Pas marrjes së informacioneve për rastin e publikuar në mediat italiane, SPAK do marrë vendim nëse do kemi një procedim tjetër penal apo jo edhe për këtë rast.
Bashkëpunëtori i drejtësisë: Droga kalohej lehtë falë mbështetjes së qeverisë shqiptare
Mediat italiane kanë publikuar dy ditë më parë detaje të forta për lidhjet që ka mafia shqiptare me atë italiane. Së fundmi janë publikuar edhe dëshmitë e Antonio Guastalegname , sipërmarrësi i Vibo Marina, një bashkëpunëtor i ri i drejtësisë. Prokurorët kanë mundur të zbulojnë kontaktet që kishte 53-vjeçari me dy drejtues të ‘Ndrangheta del Vibonese’ por edhe me trafikantët e armëve dhe drogës, një nga specialitetet e saj kryesore.
Antonio Guastalegname, i penduari i mafies kalabreze Ndrangheta, ka rrëfyer emra e ngjarje mbi rrjetin e trafikut të drogës nga Brazili e Shqipëria drejt Italisë, teksa përmend edhe zyrtarë të lartë shqiptarë. 54-vjeçari, i arrestuar në kuadër të megaoperacionit të emërtuar “Rinascita Scott” flet për lidhjet e bosëve mafiozë të Ndranghetas me emra të rëndësishëm të politikës shqiptare.
Në rrëfimin e tij, i penduari Guastalegname përmend Valerio Navarrën, një person shumë i afërt me bosin e drogës Antonio Giuseppe Açorint, i cili i kishte thënë se kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe se subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm. Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se kishte mësuar nga Robert Lazaj, i arrestuar në qershor të 2020.
“Më propozoi të shisja drogë direkt, pa ndërmjetës. Për të më joshur ai më nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin transportimin e drogës prej mbështetjes së qeverisë shqiptare, në sajë të së cilës ata mund të përballonin ngarkesa të mëdha pa frikë nga kontrollet”, ka dëshmuar ai.