Teksa këto ditë vëmendja është përqendruar tek SPAK, pasi kryeministri Edi Rama pak ditë më parë e inkurajoi që të hetonte personat që kishin mbajtur poste të larte publike, ish-prokurori Shkëlqim Hajdari zbuloi dje se peshqit e mëdhenj kanë rënë tashmë në një rrjetë të fortë që disponon Prokuroria e Posaçme, që sipas tij, herët apo vonë do të dalin në breg.
Deri më tani Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka arritur që të çojë në pranga tre zyrtarë të lartë si ish-ministrat Saimir Tahiri dhe Lefter Koka, bashkë me deputetin Alqi Bllako. Po ashtu edhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim në çdo dalje publike ka theksuar se SPAK po heton personat që kanë abuzuar me fondet publike.
Por teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, ish-prokuroi Hajdari bëri një deklaratë të fortë, ndërsa se politikanë të rangut të lartë kanë rënë në “rrjetën” e SPAK. Sipas tij brenda pak kohësh, politikanët e korruptuar do të përballen me drejtësinë. Gjithashtu sipas tij, këta “peshq” kanë rënë në rrjetë, por “rrjeta” do të dalë pak nga pak, por theksoi se “rrjeta” është e ndërtuar mirë.
“Ca kanë mbushur 40 vite e të tjerët 30 vite. Politikanët që duan të jenë të përjetshëm nuk janë politikanë Euroatlantikë. Brenda pak viteve s’po them muajve, ato do të përballen me drejtësinë. Ballkani Perëndimor i përket BE, forcave perëndimore euroatlantike. Nuk ka gëzim më të madh se sa politikat e SHBA, janë konsistente, të qarta.
Peshqit janë në rrjetë, rrjeta del avash-avash. Kam përshtypjen që rrejta do të dalë pak nga pak, sepse rrjeta është ndërtuar mirë”, u shpreh ai. Po ashtu ai theksoi se ka besim tek organi akuzës dhe ky i fundit duhet të nxjerrë prova për të fituar besimin e publikut.
“Punë kanë shumë, dosje kanë shumë. Unë jam shpresëplotë që SPAK-u do i tregojë publikut me prova dhe shpresoj që çdo muaj të kemi njerëz, zyrtarë, ish-zyrtarë që do të dalin para drejtësisë për punën e bërë nga SPAK”, deklaroi Hajdari.
Hajdari: Prokurorët nuk intimidohen
Më tej gjatë fjalës së tij, zoti Shkëlqim Hajdari theksoi se prokurorët e SPAK nuk mund të intimidohen dhe se do të ishte mirë që politika të qëndronte larg drejtësisë, edhe pse ata janë mësuar me sulme. “Karriera e prokurorëve të SPAK-ut është e mbrojtur.
Ata nuk kanë mundësi të frikësohen, intimidohen. Ata të mirat materiale i sigurojnë nga paga e tyre e ligjshme. Çdo prokuror nuk ndihet mirë kur merr sulme nga politika. Por prokurorët janë mësuar. Prokurorët janë të qetë kur punojnë me prova. Nuk ndikon shumë lufta politike. Nuk shoh se do të ndikojë te puna e SPAK-ut”, u shpreh ai.
Ndërkohë ish-prokurorin Hajdari komentoi edhe disa deklaratë të lëshuara së fundmi nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke u shprehur se SHBA janë me shqiptarët dhe për këtë ai përdori një frazë të diplomates, e cila tha se ajo ishte admiruese e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, dhe se ky ishte vendi i saj.
Sipas tij, ambasadorja Kim nuk ka çeduar asnjëherë në deklaratat e saj, dhe se nuk detyrime ndaj vendit tonë, pavarësisht se e bën punën e saj me dëshirë. “Ato që thash teknikisht i ka thënë dhe Ambasadorja. Ajo nuk ka asnjë detyrim, këtë punë e bën gjithë qejf.
Ajo është ambasadorja e SHBA-ve dhe ka një detyrë të posaçme në Shqipëri dhe Kosovë. Ambasadorja nuk ka çeduar asnjëherë. Ajo doli me një mesazh, doli poshtë kalit të Skënderbeut dhe foli kuq e zi. Kjo tregon që SHBA-të janë me popullin shqiptar”, nënvizoi Hajdari.