Teksa lufta në Ukrainë vijon në muajin e tretë të saj, duket se një konflikt i mundshëm mes NATO-s dhe Rusisë është fare pranë. NATO ka nisur dje një nga stërvitjet më të mëdha në Baltik. Stërvitja është “pagëzuar” me emrin Hedgehog.
Stërvitjet do të zhvillohen në Estoni gjatë dy javëve të ardhshme dhe do të përfshijnë 15,000 trupa nga dhjetë vende, duke përfshirë MB, SHBA dhe dy vendet që po aspirojnë të futen në aleancë, Finlanda dhe Suedia.
Gjithashtu një skenar i zi është paralajmëruar nga kryeministri hungarez Viktor Orban. Ai tha se gjatë 10 viteve të ardhshme do të jetë një epokë rreziku, pasigurie dhe lufte.
NATO tregon “muskujt”, Orban paralajmëron tmerr
Stërvitja po zhvillohet 64 km (40 milje) nga baza më e afërt ushtarake e Rusisë. Ai synon të simulojë një sulm nga Rusia në Estoni. Rusia e sheh NATO-n si një kërcënim për sigurinë dhe ka paralajmëruar për “pasojat” për anëtarët e rinj të mundshëm.
Suedia qëndroi neutrale në Luftën e Dytë Botërore dhe për më shumë se dy shekuj i është shmangur bashkimit me aleancat ushtarake. Stërvitjet ishin planifikuar përpara pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Por mes kërcënimit në rritje të sigurisë nga Rusia, ata po vëzhgohen nga afër. Por skenari i tmerrit paralajmërohet nga Orban.
“Perëndimi është në grahmat e “çmendurisë vetëvrasëse”, sipas asaj që tha kryeministri hungarez Viktor Orban në fjalimin e tij ditën e djeshme. “Dekada e ardhshme do të jetë një epokë rreziku, pasigurie dhe lufte,” tha kryeministri hungarez, duke denoncuar gjithashtu atë që ai e quajti “çmenduria e gjinisë” dhe “programi i madh për zëvendësimin e popullsisë evropiane”. Më në fund, profecia e zezë: “Para syve tanë po hapet imazhi i një dekade lufte, e shënuar nga valët e përtëritura vetëvrasëse të botës perëndimore”.
Ndërsa liderët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të bëjnë presion për të vendosur embargon ndaj naftës ruse, Orban këmbënguli se Budapesti nuk do të mbështesë asnjë sanksion që ndikon negativisht në sigurinë energjetike të Hungarisë.
Në një fjalim në parlament, lideri nacionalist tha se Hungaria nuk do të bllokojë sanksionet e BE-së për sa kohë që ato “nuk shkojnë përtej vijës së kuqe të mbrojtjes ekonomike të Hungarisë. Kjo do të thotë, për sa kohë që ato nuk rrezikojnë sigurinë energjetike të vendit”.
Shefi i NATO-s: Ukraina mund ta fitojë këtë luftë
NATO-ja, në anën tjetër, deklaron se është vetëm aleancë për mbrojtje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se lufta “nuk është duke shkuar sipas planeve të Moskës”. “Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”, ka thënë ai pas takimit me diplomatë të lartë në Berlin ditën e djeshme.
Ai ka thënë po ashtu se aleanca duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Kievin. Ndërkohë, Rusia ka shkaktuar dëme, por nuk ka arritur të shënojë përparim të madh territorial në lindje të Ukrainës. Luftëtarët rusë dhe ata ukrainas janë duke luftuar fshat pas fshati në Donbas, rajon lindor i Ukrainës. Ushtarët ukrainas kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Moska për tetë vjet në këtë rajon.
Përgjatë fundjavës, forcat ruse kanë sulmuar një fabrikë të lëndëve kimike në Siverodonetsk të Donbasit, ka thënë guvernatori rajonal, Serhii Haidaii. Guvernatori i Lvivit ka thënë se raketat ruse kanë shkatërruar edhe “infrastrukturë ushtarake” në rajonin Javoriv, afër kufirit me Poloninë. Perëndimi dërgon armë në Ukrainë përmes qytetit të Lvivit. Ushtria ukrainase kanë thënë se i ka ndalur hovin ofensivës ruse në Donbas.
Forcat ukrainase kanë sulmuar pozicionet ruse dhe kanë shkatërruar dy ura të kontrolluara nga ato. Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në raportin e saj ditor se ushtria ruse ka humbur një të tretën e fuqisë luftarake në Ukrainë, në krahasim me atë që ka pasur kur ka nisur luftën – dhe se nuk ka shënuar fitore të mëdha territoriale. “Në situatën aktuale, Rusia ka pak mundësi të bëjë përparim të madh në 30 ditët e ardhshme”, ka thënë ministria përmes një postimi në Twitter.