Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka mbërritur për një vizitë zyrtarë në Tiranë. Ai është pritur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka dalë disa minuta para mbërritjes për ta pritur në Bulevard.
Në orën 10:30, pati një takim kokë më kokë dhe takim i dy delegacioneve.
“Folëm me Presidentin Michel për situatën e përgjithshme dhe për angazhimet, por edhe për sfidat në raport me luftën në Ukrainë. Folëm patjetër dhe besoj se ai do të komunikojë vetë në detaje për procesin në vigjilje të Këshillit Europian kur dihet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në axhendë për çështjen e hapjes së bisedimeve.
Folëm për Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit dhe sigurisht folëm edhe për reformat në vend. Folëm për Reformën në Drejtësi që po jep fryte.
Të gjithë e ndoqën dje operacionin shumë domethënës të policisë speciale dhe Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal.
Operacioni ishte shembull kuptimplotë për të vënë para drejtësisë njerëzve pavarësisht lidhjeve politike që tregon se jo vetëm jemi në rrugën e duhur por kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vende që i kanë hapur negociatat”, u shpreh Rama.