Presidentit Ilir Meta duket se nuk i del inati me amerikanët. Pas disa ditësh qetësie, presidenti Meta ka shfrytëzuar një intervistë për mediat, për t’iu treguar muskujt kundërshtarëve të tij veçanërisht kryeministrit Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo “revoltë” e Metë ka ardhur pas thirrjeve të SPAK për ta hetuar atë dhe pas zërave se pas largimit nga Presidenca, ai do të këtë të njëjtin fat si ish-kryeministri Sali Berisha, duke u shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ka qenë një pyetje ngacmuese e gazetarit Arjan Çani në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, e cila ka detyruar Ilir Metën të dalë nga vetja dhe t’iu rikthehet sulmeve ndaj SHBA. “Ka kohë që përflitet që Meta sa të mbarojë detyrën do të shpallet non-grata”, deklaroi ai.
Por Meta në përgjigje e sipër u shpreh se nuk ka frikë nga asnjë amsho ndëshkuese që mund të aplikohet ndaj tij. “Të shpallet, çfarë problemi ka”, deklaroi ai. Mirëpo gazetari Çani i kujtoi Metës të mos bëj të fortin, por të shikojë mundësinë për të bërë një fjalim, që ta ketë gati, pasi amerikanët ta shpallin “non grata”.
“Nëse ndodh kjo, çfarë deklarate do të bësh publike? Nuk mendon se është momenti ta kesh një fjalim gati? Që mos mbetesh… Kush kruhet me amerikanët, shpallet non-grata”, tha Çani. Ndërkohë Meta u përgjigj, duke leshura madje një paralajmërim të fortë në adresë të amerikanate, duke ua bërë të qartë se do t’i presë me pushkë në dorë si pushtues.
“E vetmja gjë që nuk më shqetëson është kjo që thoni ju. E dyta, kam vetëm një raport të shenjtë me Shqipërinë. E treta, partnerët që sillen si partnerë, i respektoj, kur sillen si pushtues, do ti trajtoj si pushtues. E katërta, kam lindur në male dhe kjo më ndihmon që të mos e njoh fare frikën. Ata që lindin nëpër male, jetojnë me ujqër dhe çakej. Mësohen që fëmijë”, nënvizoi Meta. Pra, kjo pyetje thumbuese e gazetarit Çani ka bërë që Ilir Meta të kthehet në origjinë, duke sulmuar amerikanët dhe treguar edhe njëherë se nuk ka qenë kurrë i denjë për postin e Presidentit të republikës së Shqipërisë, pasi më shumë i ngjan një rrugaçi se sa shtetari.
Meta shfaqet si Mujo Ulqinaku dhe sfidon SHBA
Por teksa shikon çdo javë ngushtimin e lakut, Meta vijon sulmet dhe shantazhet, sikundër e tregojnë këto fakte që ai ka kërcënuar disa ditë më parë amerikanët. Meta tha se nuk ishte ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili pasi u dënua për korrupsion, u arratis në Hungari, pranë deles së zezë të Evropës, Viktor Orban. Madje, Meta tha se ishte si Mic Sokoli, Avni Rustemi, Vojo Kushi dhe Mujo Ulqinaku, duke paralajmëruar rezistencë, kur SPAK-u të firmosë urdhrin për arrestimin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. “Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit!
Është President i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë! Është i racës së politikanit të tipit Avni Rustemi, edhe i disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi, etj. Mujo Ulqinaku vërtet ishte një oficer i thjeshtë dhe i doli Italisë fashiste vetëm. Pse kujtoni se Mujo do të mundte Italinë?! Jo? Mujo Ulqinaku nderonte Lartmadhërinë. Prandaj shqiptarët çdo 7 prill nderojnë Mujon, nuk nderojnë Mbretin”, tha Meta.
Më tej, Meta u ka dhënë një tjetër mesazh amerikanëve, duke nënkuptuar se ka shumë njerëz me vete, të cilët nuk do të lejojnë arrestimin e tij. Nëse unë jam këtu ku jam dhe kam 30 vjet që populli shqiptar më ka votuar, më ka zgjedhur, më ka kërkuar të jap dorëheqje për zgjidhje krizash, e kështu me radhë, jam vetëm falë demokracisë”, u shpreh ai.
Ja si Meta paralajmëroi se do vras veten si Allende
Pak muaj më parë, Meta kërcënoi se ishte gati të vriste veten dhe të luftonte kundër SHBA-ve si presidentit i Kilit Salvador Allende. “Jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”, tha ai. Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri.
Po a e pranojnë SHBA-BE presionin e politikanëve të korruptuar të Ballkanit?
Faktet konfirmojnë që jo. Nikola Gruevski, para se të dënohej, kërcënoi SHBA-BE ashtu si Ilir Meta. Edhe Nikola Gruevski foli për komplot ndërkombëtar, shkelje sovraniteti etj. Ndër të tjera, Gruevki tha se “diplomatët perëndimorë po influencojnë anëtarët e Komisionit Zgjedhor për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve”. Ashtu si LSI-ja e Metës, edhe Gruevski bojkotoi raundin e dytë të zgjedhjeve dhe kërcënoi me destabilizim.
Megjithatë, organet e reja të drejtësisë në Maqedoni e dënuan Gruevskin për korrupsion, bazuar në fakte dhe prova. Të njëjtin fat kishte edhe ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader. Ashtu si Meta, edhe Sanader, para se të arrestohej dhe të dënohej sulmoi drejtësinë dhe kërcënoi ndërkombëtarët. Por, dënimi i Sanaderit i hapi dyert e integrimit Kroacisë.
Rama: Metës i duket vetja një Vojo Kushi mbi çatinë e selisë së BE
Por pas këtyre kërcënimeve të lëshuara nga presidenti Ilir meta, ka treguara edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një editoriali, Rama theksoi se Meta duhet ndëshkuar, pasi sipas tij, i duket vetja një Vojo Kushi mbi çatinë e selisë së BE dhe SHBA. “Si mund të ketë Shqipëria e sotme, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate për në Bashkimin Europian, një kryetar shteti që duket si një aktor komik që imiton Presidentin e Republikës; Një kryetar shteti që, kur flet seriozisht, të bën për të qeshur dhe kur flet me të qeshur, të bën për të qarë;
Një kryetar shteti që e parafytyron veten si një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e ambasadës së Bashkimit Europian dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banjoje?!
Si mund të ketë Shqipëria e sotme, një kryetar shteti që arrin thotë në konferencë për shtyp se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor, çka në fakt nuk ia ka kërkuar askush, edhe pse askush nuk ka mbetur pa pyetur veten se mos vallë ky njeri është realisht i ikur nga mendja e kokës.
Po kjo pyetje nuk çon askund, madje mund të çojë në drejtim krejt të gabuar. Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti, të futur në qorrsokakun e inatit pa krena, është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, i cili gënjen veten, për të gënjyer të tjerët”, deklaroi Rama.