Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel është i parë zyrtar i lartë evropian që mbështet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, drejtuesi i KiE theksoi rëndësinë e kësaj iniciative për forcimin ekonomik dhe politik të vendeve anëtare.
Sipas tij, kjo do ta favorizojë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që të integrohen më lehtë në BE. ” “Unë jam mik i angazhuar për të zgjidhur vështirësitë për të cilat jemi konfrontuar. Pas disa javësh do kemi një mbledhje të fundit të presidencës franceze për të zgjidhur këtë situatë. Ne do bëjmë vlerësimin në qershor. Shpresoj që do jemi në gjendje të bëjmë këtë gjë.
Natyrisht nëse nuk ndodh duhet ta rishohim situatën. Pozita e kryeministrit është e arsyeshme dhe e përligjur. Unë e mbështes Ballkanin e Hapur sepse më të mëdha do të jenë aftësitë për të forcuar strukturat ekonomike politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e BP me Europën. Është dhe çështja energjetike që është gjeopolitike për aftësitë blerëse. Kjo ka shumë kuptim. Duhet të krijohet kjo platformë politike.
Duhet bërë ky hap integrimi duke u mbledhur të gjithë në një tryezë që të kemi inteligjencë kolektive të përbashkët”, deklaroi Michel. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama përgënjeshtroi lajmet se Gjermania, vendi kryesor i BE, është kundër “Ballkanit të Hapur”. Ai theksoi se raportime të tilla bëhen thjesht për konsum lokal në Shqipëri me qëllim politik.
Rama përmendi veton bullgare që po bllokon hapjen e negociatave për anëtarësim për shtetin tonë duke e sugjeruar “Ballkanin e Hapur” si zgjidhje për shmangien e pengesave diplomatike. Kryeministri ilustroi dhe rastin e bashkëpunimit Francë-Gjermani pas Luftës II Botërore.
“Miti që Gjermania është kundër Ballkanit te Hapur është një ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër, por kërkon që nisma të jetë gjithëpërfshirëse. Të gjithë janë të inkurajuar që të vijnë. Nuk mund të mbahen peng shtetet”, deklaroi Rama.