Avokatja dhe aktivistja e njohur e shoqërisë civile, Brizida Gjikondi shprehet e bindur se Partia Demorkatike sot është në agoni, ndërkohë që zgjedhjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në krye të kësaj partie e cilëson si një atentat ndaj demokracisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Gjikondi theksoi se ish-kryeministri Berisha është simboli i korrupsionit, ndërsa shtoi se pas SHBA edhe BE pritet ta shpallë “non grata”.
-Zonja Gjikondi, Sali Berisha është zgjedhur pak ditë më parë kryetar i PD. Si ju duket ky vendim i demokratëve?
Vendim nul, pa pasoja juridike aq më pak morale dhe politike. Nuk do e quaja vendim të demokratëve.
-Por pavarësisht zgjedhjes së Berishës në krye të Partisë Demokratike, SHBA ka deklaruar se nuk do të kenë marrëdhënie me PD, për sa kohë ajo parti drejtohet nga një person “non grata”. Çfarë nënkupton kjo?
Deklarata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e qartë, konseguente. Me Sali Berishën në krye Partisë Demokratike nuk ka të ardhme.
-Mirëpo, nuk janë vetëm amerikanët, pasi edhe gjermanët dhe konkretisht CDU, simotra e Partisë Demokratike , ka paralajmëruar se nuk do të ketë bashkëpunim me PD, për shkak se Sali Berisha është “non grata” dhe se demokratë duhet të zgjedhin të ardhmen e jo të shkuarën, referuar ish-kryeministrit. Keni një koment?
Nuk është çështja kaq e ngushtë, Sali Berisha është quajtur minues i demokracisë dhe ka një dosje në ngarkim të tij. Pavarësisht procedurave diplomatike, dihej qe vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do përfshinte edhe shtetet e Bashkimit Europian. CDU është një parti vlerash, ndaj s’mund të orientohet kundër vlerave që përfaqëson.
-Megjithatë fitorja e Sali Berishës duket pa vlerë, për sa kohë që Uashingtoni nuk e njeh atë dhe pas akuzave nga rivali i tij, Ibsen Elezi madje edhe demokratëve, se ai ka manipuluar zgjedhjet në degët dhe për kryetar, pasi në krye të tyre ka zgjedhur militantë të LSI dhe PS. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Mendoj që pavarësisht fjalëve, zoti Ibsen Elezi ka ndihmuar Sali Berishën në legjitimitetin fals të procesit. Kjo është shumë e dëmshme. Nuk di arsyet por di pasojat e veprimit të tij, ndaj ato që thotë janë të pavlera.
-Gjithashtu PD duhet thënë që është e ndarë, teksa palët po përplasen në gjykatë për Statutin. Gjyqtari Agron Zhukri i ka dhënë “Foltores”, Partinë Demokratike, ndërkohë që kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj e ka ankimuar vendimin. Si e shihni këtë ngjarje dhe pse ky nxitim i Berishës për t’u zgjedhur në krye të Partisë Demokratike pa folur ende Gjykata e Apelit?
Historikisht Sali Berisha nuk ka pyetur për ligjin, moralin dhe vlerat kombëtare. Ai është konseguent në të qenit antishtet. Figura e tij nuk është frymëzuese për shqiptarët që aspirojnë Evropën.
-Ndërkaq, Sali Berisha jovetëm që ka sulmuar gjykatën dhe gjykatësit, por ka paralajmëruar edhe se nuk do ta njoh vendimin e dalë prej saj që shkon në disfavor të tij. Si ju duket kjo lëvizje?
Nga Sali Berisha është normale, dhe çka është anormale është ambientimi ynë me një standard të tillë në këto 30 vjet. Pavarësisht se SHBA e shpalli non grata unë mendoj se moralisht ai ish shpallur i tillë edhe nga pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare.
-Sipas jush, sot Partia Demokratike me rikthimin e Sali Berishës është më e fortë apo më e dobët?
Është në agoni. Ai nuk ka çfarë t’i ofrojë më asaj force politike. Ka 30 vjet që çfarë kishte për t’i dhënë ja dha dhe çfarë kishte për t’i marrë ja mori. Tani thjesht do që t’i jap fatin e tij politik edhe asaj dhe kjo është fatkeqësi.
-Keni një recetë se si PD të dalë nga kriza që e ka mbërthyer prej disa muajsh?
Duke u shkëputur nga Sali Berisha dhe sidomos nga berishizmi. Nga një mendësi agresive, përjashtuese, denigruese, përçarëse dhe miope.
-Në anë tjetër edhe kryeministri Edi Rama duket se i ka krisur raportet me amerikanët, pasi disa herë ka sulmuar dhe thumbuar publikisht ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Rama e ka krahasuar ambasadoren Kim me Sekretaren e Partisë së Punës, ndërkohë që i ka kujtuar se nuk pranon këshilla prej saj në anglisht. Si ju duket kjo qasje e kryeministrit Rama?
E pa vend dhe euforike. SHBA është miku i çmuar i shqiptarëve dhe interesave tona kombëtare. Ambasadorja Kim është një përfaqësuese dinjitoze e shtetit të saj, në momente vendimtare për shtetin tonë. Rezistenca e klasës politike tregon se sa e vështirë është lufta ndaj të keqes.
-Kryeministri Edi Rama prej disa ditësh ka nisur një fushatë sulmesh ndaj SPAK, të cilës i kërkon që të mos arrestojë vetëm nga radhët e Partisë Socialiste, por edhe nga kundërshtarët e tij. Keni një koment?
Zoti Edi Rama është në fund të fundit një udhëheqës politik dhe detyrimisht do bëjë politikë, do shantazhojë dhe aktrojë njëkohësisht. Arsyet e nëndheshme të këtij ligjërimi kundër SPAK i di ai dhe ndoshta i kuptojmë ne. Por di që me fakte zoti Rama nuk ka bërë asgjë për të procedua korrupsionin kriminal që ka varfëruar, turpëruar dhe nxirë jetën e shqiptarëve. Të gjithë qeveritë, ministrat dhe titullarët e lartë të qeverive Meta Berisha nuk kanë patur asnjë procedim nga ana e qeverisë Rama. Këto janë fakte, çdo gjë tjetër është retorikë. Fakt është që si SPAK dhe qeveria e drejtuar prej tij nuk kanë bërë asgjë kundër korrupsionit krimit të organizuar dhe bashkëpunimit të krimit me politikën.
-Socialistët kërkojnë që Prokuroria e Posaçme të nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke qenë se ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe akuzohet për korrupsion e minim të demokracisë. Si ju duket kjo thirrje dhe sa mundësi ka të bëhet realitet?
E vonuar por e duhur. Por gjithësesi si u shpreha dhe më lart është thjesht politike. PS ka mekanizmat që të procedojë, fjalët dhe pakënaqësitë justifikohen tek qytetarët që nuk kanë pushtet, asaj jo !
-Po Edi Rama rrezikon të jetë subjekt i SPAK…
Nuk e di. Por me këtë SPAK që shoh i cili është i mefshtë, diferencues, i paaftë, i politizuar dhe i kapur, nuk mendoj se do shkoj më shumë se çka shkuar.
-Gjithashtu, socialistët akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha se ka bashkëpunuar me Millosheviçin, sikundër është thyerja e embargos së naftës në vitet ’95. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Edhe sikur të qëndrojnë, janë thjesht akuza morale dhe politike. Socialistët nuk kanë bërë asgjë për të proceduar ligjërisht kur ishte koha dhe provat. Tani të dyja këto janë djegur. Mbeten vetëm fjalët dhe energjia negative që krijojnë tek shqiptarët.
-Në Shqipëri zien debati për shkak se një ndër gazetat më të mëdha austriake ka publikuar një skandal që ka të bëj me presidentin në ikje Ilir Meta. Media në fjalë akuzon Metën se ka paguar 700 mijë euro për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në vitin 2016. A ka të vërtetesa në këtë shkrim?
Jo vetëm zoti Ilir Meta por shume politikanë të tjerë në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri kanë bërë të njëjtën gjë. Në vende ku sundon fasada dhe mëkati çdo gjë ka çmim të shëmtuar, imazhi fals sidomos.
-Gjithashtu gazeta austriake shkruan se bashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi se i kanë bërë paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla, sikundër janë investimet në prona apo edhe operacione plastik dhe botokse. Si ju duken këto akuza?
Janë pak në raport me atë që vërtet këta dhe të tjerë përfaqësues të politikës shqiptare kanë bërë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
-Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë ka nisur një proces për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas jush, si duhet të jetë pasuesi i Ilir Metës dhe sa mundësi ka që kreu i ri i shtetit të dalë nga negociatat PS-PD?
Mekanizmi i zgjedhjes është i infektuar, Presidenti mund të jetë i kujtdo por jo i shqiptarëve.
Intervistoi: Rigels Seliman