Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka marrë besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë proces kanë marrë pjesë 83 deputetë.
Begaj është votuar pro nga 78 deputetë.
4 deputetë kanë qenë kundër.
Opozitarët e pranishëm në sallën e Kuvendit, votuan kundër kësaj kandidature për shkak se besojnë që socialistët shkelën rregulloren e Kushtetutës, pasi një ushtarak në detyrë aktive nuk mundë të dalë kandidat për President.
Bajram Begaj, deri paraditen e sotme mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por me një dekret të lëshuar nga Presidenti në ikje Ilir Meta, ai u lirua nga detyra duke i hapur rrugë kështu emërimit në përputhje me Kushtetutën. Pas tre raundeve të dështuara, në raundin e katërt Begaj u propozua nga partia në pushtet, Partia Socialiste.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se partia që ai drejton do të mbështesë Bajram Begajn për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
“Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi”, tha Rama, duke iu referuar kandidatit për presidenti.
Begaj është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në korrik 2020.
Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tiranës.
Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.