Bregdeti i Durrësit, për shumë vjet i “përbuzur”, por që vjet u kthye në Hirushen e turizmit shqiptar, pritet të vazhdojë shkëlqimin edhe këtë verë. Sezoni turistik veror do të jetë rreth pesë muaj dhe kjo i atribuohet kontingjentit të pushuesve nordikë që kanë “pushtuar” me rezervime Golemin. Hotelet, nga ana tjetër, janë bërë gati.
Shumica do të ofrojë shërbimin “all inclusive” dhe polakët vijojnë të mbajnë “flamurin” si grupi me frekuentim më të lartë, kurse rikthime nga pushuesit e sezonit të kaluar ka shumë pak. Ardhja këtë vit e turistëve nordikë, që janë më kërkues për kushtet dhe ushqimin, por nga ana tjetër edhe paguajnë më shumë, i ka bërë sipërmarrësit të jenë më të kujdesshëm dhe të investojnë në cilësi, duke mësuar dhe nga gabimet e një vit më parë, kur për herë të parë hotelet në bregdetin e Golemit u grupuan për të ofruar shërbimin “all inclusive” kryesisht për turistët polakë.
Investimet në kapacitete janë shtuar, ndërsa sipërmarrësit i kanë të garantuara rezervimet të paktën edhe dy vitet e ardhshme. FAFA Resort, këtë vit fut në funksion edhe investimin e ri Grand Blu Fafa me 250 dhoma të reja. Kompania nordike Apollon ka rezervuar 120 dhoma tek kompleksi i ri i Fafa për gjithë sezonin deri në fund të shtatorit. Prestige Resort, dikur ish Mak Albania dhe tashmë krejtësisht i rinovuar dhe që ka zgjeruar kapacitetin me 60 dhoma, ka mbyllur edhe rezervimet për 2019-2020 dhe do të ketë vetëm nordikë. Sandy Beach Resort në Golem i ka të rezervuara të paktën 70% të dhomave nga polakët.
Futja e shërbimeve “all inclusive” pritet të nxisë dhe bujqësinë e zonës përreth, teksa frutat dhe perimet sigurohen kryesisht në zonat përreth në fshatrat e Kavajës dhe Lushnjës. Edhe restorantet e zonës së bregdetit do të ketë më shumë punë, sidomos nga nordikët, të cilët kanë rezervuar kryesisht vetëm fjetjen dhe mëngjesin. Shërbimet mbështetëse të argëtimit çalojnë ende, por edhe ato pritet të zhvillohen në varësi të kërkesës, që do të vijë nga turistët. Problemi i vetëm është shteti, që nuk po arrin të ndjekë ritmin e bizneseve dhe nuk po garanton investimet e nevojshme në infrastrukturën e zonës (rrugë, kanalizime, pastrim), duke vënë në rrezik gjithë investimet e bizneseve.
Flet Fatos Çerenishti, sipërmarrës, FAFA Resort
“Si po e përzgjedhin nordikët arredimin dhe kuzhinën, grupe inspektimi çdo dy javë”
Lajmi se pushuesit nordikë kanë vendosur t’i japin një mundësi Shqipërisë, është padyshim një zhvillim pozitiv. Por kjo kategori është edhe më kërkuese. Fatos Çerenishti, sipërmarrës në zonën e Golemit, i cili ka nën zotërim FAFA Resort dhe që këtë vit fut në funksion edhe investimin e ri Grand Blu Fafa me 250 dhoma të reja, shprehet se arredimi është bërë në bashkëpunim me arkitektë nordikë dhe shqiptarë.
Sipas tij, grupet e inspektimit vijnë rregullisht për të parë ecurinë e punimeve, shërbimet, kuzhinën duke mos ia lënë në dorë asgjë rastësisë. Edhe paketat e ushqimit janë zgjedhur në bashkëpunim, ku 50% është kuzhinë tradicionale shqiptare.
Si paraqitet situata me rezervimet për hotelin tuaj duke qenë se keni qenë dhe në proces zgjerimi? A do të jetë funksionale sipas parashikimit?
Po, ne këtë vit hapim Grand Blu Fafa për të cilin ka nisur puna prej tre vitesh dhe më 25 maj 2018 përfundon i gjithi. Ai ka një kapacitet me 250 dhoma me pishinë dhe facilitete të tjera si pishinë të brendshme dhe SPA. Kemi lidhur kontratë me një kompani nordike, Apollon. Kanë rezervuar 120 dhoma tek kompleksi dhe vijnë dy herë në muaj që shohin ecurinë e punimeve përpara se të nisë edhe sezoni. Deri më tani kanë qenë të kënaqur, plus dhe kanë bërë sugjerimet e tyre për arredimin. Në bazë të marrëveshjes që kemi me ta, kemi bërë dhe arredimin sipas sugjerimeve si dhe organizimin e ambienteve të shërbimit. Ka qenë një bashkëpunim i arkitektëve shqiptarë dhe nordikë duke shkrirë në një të vetme pjesën e organizimit. Zyrtarisht sezoni fillon në datën 25 maj, domethënë atëherë presim ne turistët e parë dhe mbyllja është në fund të shtatorit. Rezervimet janë për afate njëjavore dhe të paktën 120 dhomat e rezervuara prej tyre janë të plotësuara për gjithë sezonin.
Po paketa që kanë rezervuar si është, ‘all inclusive’ apo vetëm shtrat dhe mëngjes?
Kemi gërshetim të të gjithave. Kemi “all inclusive”, kemi “a la carte”, apo edhe vetëm mëngjes. Ne e kemi vitin e parë këtë, kështu që është vit prove. Modelet e paketat i kemi zgjedhur paraprakisht duke negociuar me agjencinë. Është një gërshetim i kuzhinës tradicionale shqiptare dhe menusë nordike. Grupet e inspektimit kanë dhënë konsensusin e tyre tashmë.
A mendoni se ka leverdi tek ‘all inclusive’ dhe a e keni pasur të thjeshtë të siguroni paraprakisht furnitorët?
Po mendoj se ka një leverdi të vogël, kostoja varion nga 2-5 euro për paketë dhe fitimi kuptohet që është minimal. Por, edhe po nuk pati fitim, këtu ti e ke një bonus të integruar që justifikon pjesën e fitimit tek shërbimet e tjera që ofron. Jemi munduar që të sigurojmë edhe pjesën e furnizimit. Për fruta e perime, kryesisht në zonat përreth në fshatrat e Kavajës dhe Lushnjës dhe mendojmë që do t’ia dalim.
Po çekë dhe polakë, a kanë rezervuar këtë vit, a ka rikthime?
Ka edhe çekë dhe polakë, por nuk kemi shumë kapacitet të lirë në fakt. Kërkesa është në rritje. Ka madje edhe rikthime nga ata që kanë qenë më herët, por në gjithë këtë kërkesë që vjen nga jashtë po duket sikur po shkëpusim marrëdhëniet me shqiptarët. Nuk ka kërkesë nga brenda vendit.
Flet Blerim Norja, administrator Prestige Resort
“Kemi mbyllur edhe rezervimet për 2019-2020, do të kemi vetëm nordikë”
Interesi në rritje i të huajve për Golemin ka bërë që investimet në struktura të reja të vazhdojnë. Prestige Resort, ish-Mak Albania, pritet që të zgjerohet edhe me 60 dhoma të tjera para fillimit të sezonit, ndërkohë që të gjithë dhomat janë të rezervuara.
Blerim Norja, administrator i Prestige Resort, tha për “Monitor” se këtë vit ka një miks të kërkesave nga nordikët, polakët, çekët dhe po kaq miks janë dhe paketat e kërkuara. Gjithsesi, ende pa nisur sezoni i këtij viti, janë mbyllur rezervimet edhe për sezonin 2019-2020. Vitin e ardhshëm turistët do të jenë vetëm nga Finlanda, Danimarka, Norvegjia, Suedia.
Ky është viti i parë që Prestige Resort ish-Mak Albania do të ketë një sezon të plotë turistik, duke qenë se vitin e kaluar u hapët në fund sezoni. Si duket kërkesa, si kanë qenë rezervimet?
Me rezervime, për hir të së vërtetës, jemi të plotësuar nga 10 maji deri më 3 tetor. Momentalisht kemi 87 dhoma, por para sezonit, do të bëhen aktive 60 dhoma të tjera, sepse përfundon zgjerimi që jemi duke bërë, që e çon totalin në 147 dhoma. Ka një miks të turistëve, por që kryesisht janë nga vendet nordike por edhe çekë, polakë, sllovakë dhe gjermanë. Ne bëmë vetëm një test të shkurtër vitin e kaluar, sepse u hapëm në fund të sezonit dhe që rezultoi i suksesshëm. Turistët e parë që presim janë nordikët dhe do të shohim si do të shkojë.
Çfarë paketash keni ofruar për pushuesit, sipas marrëveshjeve që keni me agjencitë?
Shërbimet janë me “bed and breakfast” për nordikët dhe “all inclusive” për polakët, çekët dhe sllovakët. Kemi një masë të vogël me rusë, ukrainas dhe hungarezë, që i sjell një agjenci Aler Travel, (ukrainas) por që edhe këta janë “bed and breakfast”.
A hasni probleme në sigurimin e furnitorëve për shërbimin ‘all inclusive’?
Jo, nuk e hasim problemin me furnitorët por kemi problem pjesën e gjetjes së stafit, sepse duhet i kualifikuar dhe ose duhet ta marrësh nga Tirana dhe Durrësi ose duhet ta kualifikosh ti. Në kohë sezoni, ne na duhet të dhjetëfishojmë staf në raport me atë që kemi zakonisht.
Çfarë kushtesh kanë vendosur për menunë agjencitë që sjellin turistët?
Po në tërësi është rënë dakord që 50% e ushqimit të jetë tradicional shqiptar dhe 50% italian. Normalisht janë kritere standarde ato që vihen, si për shembull të kesh katër lloj bukësh, mishi. Fillimi është një lloj testi, pastaj ti fillon kupton çfarë pëlqehet më shumë dhe çfarë jo dhe e korrigjon gradualisht edhe sipas kërkesave. Kjo është diçka që ndryshohet. Ne shpresojmë që të shkojë mirë, duke qenë se kemi mbyllur kontratën edhe për sezonin tjetër 2019-2020 me Apollon dhe vitin tjetër do të kemi vetëm nordikë.
Flet Arbër Shahu, ortak i “Sandy Beach Resort” në Golem dhe administrator i Albturist Albania
Golemi sërish “all inclusive”, zgjatet numri i netëve të qëndrimit
Hotelet në zonën e Golemit do të eksperimentojnë sërish me ‘all inclusive’. Arbër Shahu, ortak i “Sandy Beach Resort”, tha për “Monitor” se këtë vit është më e thjeshtë pasi është krijuar përvojë nga viti i kaluar dhe janë përmirësuar disa aspekte. Ai nënvizon se rekordin në rezervime e mbajnë polakët, të cilët kanë rezervuar të paktën 70% të dhomave. Turistët e parë vijnë pas 20 majit.
Sezonin e kaluar, një nga problemet kryesore që është ngritur për Golemin ka qenë infrastruktura. Si paraqitet ajo aktualisht pak muaj para fillimit?
Infrastruktura vazhdon të mbetet problematike edhe këtë vit dhe shpresojmë që të merren masa para fillimit të sezonit. Bashkitë, edhe pse shprehen të gatshme në shumë raste, i kanë mundësitë e kufizuara. Do të ishte mirë të ndërhyhet pak më shumë tek pjesa e pastërtisë ose që të ketë një angazhim më të madh në zonat më të frekuentuara dhe të vendosen më shumë kosha. Të paktën të jenë në rregull gjërat elementare.
Po kërkesa si paraqitet me rezervimet në hotelin tuaj?
Kërkesa në fakt ka mjaft rritje dhe ka kaluar gjithë parashikimet tona. Rezervimet janë në rritje e sipër dhe numri është më i lartë se një vit më parë. Ne shohim një rritje të çekëve dhe nordikëve, por pjesën më të madhe e zënë polakët. Në total, 70% e kërkesës vjen nga polakët kurse pjesa tjetër u takon grupeve të tjera. Vëmë re që nuk ka ndonjë rritje të dukshme për hungarezët, për të cilët kishte pritshmëri më pozitive. Ata janë në stanjacion. Kemi arritur maksimumin tonë dhe nuk mund të ofrojmë më shumë tani. Të gjitha dhomat janë të zëna. Vëmë re që është shtuar numri i netëve të qëndrimit që janë 119 të plota, të paktën për hotelin tonë.
Kur nis zyrtarisht tek ju sezoni, pra kur vijnë turistët e parë?
Normalisht nis pas 20 majit e mbrapa. Data 1 qershor është edhe ajo që shënon nisjen me kohë të plotë.
Keni vënë re rritje të vizitorëve rusë?
Ka kërkesë dhe nga rusët, por shumë pak. Ata që po vijnë po i sjell një agjenci World of TUI, që operon në pjesën e Malit të Zi dhe që po kalon disa tek ne për të testuar tregun.
Ju ofruat sezonin e kaluar paketën ‘all inclusive’, a do t’i qëndroni sërish kësaj pakete?
Po, edhe këtë vit rezervimet i kemi për ‘all inclusive’. Kemi mësuar nga viti i kaluar dhe kemi krijuar marrëdhëniet me furnitorët. Është pozitive që kemi krijuar një historik për të bërë parashikime për pjesën e konsumit.