Presidenti në ikje, Ilir Meta duket se është politikani më i lakuar dhe akuzuar në Shqipëri, emër i së cilit shfaqet dhe përmendet kudo ku ka afera korruptive, por edhe ngjarje me sfond kriminal, të cilat janë konsumuar gjatë këtyre 30 vitesh demokraci.
Këtë javë që shkoi Ilir Meta është vënë në qendër të vëmendjes dhe shkak është bërë një deklaratë e fortë bërë nga gazetar i njohur, Artan Hoxha, i cili teksa ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion” akuzoi presidentin Meta se ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Gazetari Hoxha deklaratën e tij e bazonte tek dëshmia e serial killerit, Nuredin Dumani, dhënë përpara Prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për këtë deklaratë Meta dhe Presidenca nuk kanë reaguar, ndërkohë që për Lëvizjen Socialiste për Integrim akuzua në adresë të presidentit në ikje janë tymnaja për të njollosur figurën e Kreut të Shtetit dhe kanë prapavijë politike. Megjithatë, deklaron Hoxha e ka përforcuar, pasi ndërsa replikonte me SPAK, të premten që shkoi, theksoi se ka prova që implikojnë Metën si porositës së vrasjes të vëllait të ish-deputetit në Lezhë.
Metës i del emri gjithmonë në vrasje, ja si u akuzua për elemimin e Tom Doshit
Por deklarata e gazetarit Artan Hoxha që implikon Ilir Metën në vrasje nuk është e vetmja, pasi gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u akuzua se kishte porositur vrasjen e ish-deputetit Tom Doshi, sot kryetar i Partisë Social Demokrate. Kjo akuza e rëndë u pohua madje edhe nga goja e Tom Doshit.
“Para afro 6 muajsh njoftova Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Brendshëm për një tentativë të Ilir Metës për të më vrarë mua dhe kolegun tim Mhill Fufin. Më vjen mirë që të gjithë këta zotërinj, dje dhe sot, e kanë pranuar faktin që unë e kam bërë këtë denoncim. 6 muaj rresht prita, duke kërkuar çdo ditë që të reagonte shteti për këtë denoncim, por askush nuk reagonte.
Dhe sot dua ta di, pse nuk reaguan për 6 muaj? Me quanin vlla dhe mik, dhe me lanë të vritesha në pabesi. Nuk kërkuan kurrë të më ofronin mbrojtje, dhe nuk më thirren kurrë për të marrë prej meje më tepër detaje për skemën e vrasjes”, deklaroi Doshi në mars të vitit 2015. Pra duket qartë që emri i Metës del gjithmonë në ngjarje të bujshme dhe me të drejtë të gjithë pyesim se përse ai përmendet edhe në vrasje?!
Dritan Prifti: Meta ka pasur plan për të më vrarë edhe mua
Ndërkohë versionin se Meta donte të eliminonte Doshin e ka mbështetur edhe ish-deputeti i ndierë, Dritan Prifti. Duke folur në një interviste për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit”, zoti Prifti deklaroi në mars të vitit 2015 se akuzat e Tom Doshit ndaj Ilir Metës janë të vërteta dhe se ish-deputeti i LSI ka qenë në dijeni që në muajin tetor të vitit të kaluar. Ai tha gjithashtu se ka pasur një plan për të vrarë edhe atë. “E kanë nxjerrë që 80% e shqiptarëve e vërtetojnë, ata që nuk e besojnë janë disa persona. Unë kam bindjen se akuzat e Doshit janë të vërteta. Bindja vjen si pasojë e atyre që kam marrë nga Doshi,.
Unë jam informuar për këtë histori në muajin tetor. Sa veta janë vrare dhe askush nuk e di. Nuk do te destabilizohej vendi pasi do sillte ca deputetë të tjerë. Po ju pyes ju dhe shqiptaret: Pse Tom Doshi kishte interes te sajonte një gjë të tille? Doshi ishte nje deputet shume i fuqishëm i PS me marrëdhënie shume te forta personale me kryeministrin, kryetarin e kuvendit, deputetet. Ilir Meta Ka pasur një plan edhe për të me vrarë mua”, deklaroi Prifti.
Ekzekutimi i dëshmitarëve të aferës CEZ-DIA
Mirëpo akuza dhe dyshime ndaj Ilir Metës ka hedhur pak kohë edhe juristi Romeo Kara. Një çështje ku ai është ndalur është afera e CEZ, aferë e denoncuar prej tij. Kara ka treguar mbi eliminimin e dëshmitarëve kyç të saj, ndërsa sot ka hedhur dritë se si u zhdukën apo vdiqën ata që kishin dijeni mbi përfshirjen e presidentit Meta në skandalin CEZ-DIA, ministër në atë kohë. “Eduart Belegu zhduket pikërisht pasi ftohet për kafe nga një njeri i afërt me Metën.
Qazim Tepshi, ish-ambasadori i Shqipërisë në Çeki, ndërron jetë papritur, në mënyrë të dyshimtë, pikërisht pak pasi u ftua për kafe nga një tjetër njeri i afërt i Metës. Kjo ngjarje ndodhi në gushtin e vitit 2015, menjëherë pasi miku i Metës i aferës DIA-CEZ, Kastriot Ismailaj, u arrestua dhe filloi të hapë gojën në mënyrë kërcënuese për Metën nga burgu, duke ngritur një furtunë kundër tij në Parlament dhe në media. Qazim Tepshi, ishte një kërcënim për Metën, pasi ai ka qenë në dijeni që në fillim të aferës CEZ-DIA dhe kishte kohë që kishte shfaqur pakënaqësi ndaj Metës dhe Ismailajt, lidhur për sa më sipër.
Ishte Qazim Tepshi ai që me porosi të Metës, ofroi pranë stafit drejtues të CEZ-it, Kastriot Ismailajn, duke e prezantuar si një njeri të afërt dhe të besuar të Metës. Këtë fakt e konfirmon në dëshminë e tij ish-kryetari i bordit të drejtorëve të CEZ-Shpërndarje, Jozef Hejsek. Qazim Tepshi është aksidentuar me makinë në Pragë për llogari të Metës, pikërisht kur Meta dhe Ismailaj vizituan së bashku Pragën në fund të vitit 2010, me qëllimin që ai të mos ishte i pranishëm në takimin dypalësh: Meta-Ismailaj & Roman-Pleskash, takim në të cilin u bënë disa marrëveshje mafiozo-korruptive”, deklaroi juristi Romeo Kara. /Rigels Seliman