Pesë muaj pas konstituimit të qeverisë së re ‘Rama 2’, Partia Socialiste ka nisur fushatën për largimin në bllok të drejtorëve të LSI, në të gjitha degët e administratës. Drejtorët e rinj po emërohen me anë të konkurseve, ku asnjë përfaqësues i LSI, deri më sot, nuk ka rezultuar fitues. Pas dorëheqjeve dhe largimeve të drejtorëve në krye të dikastereve më të rëndësishëm në Tiranë, prej disa ditësh përfaqësuesit e LSI po largohen në bllok nga drejtoritë që drejtojnë që pas ndarjes pushtetit pas zgjedhjeve parlamentare të 2013.
Shkarkimet kanë startuar në Rrethin e Matit për të vazhduar në ditët në vijim në të gjitha rrethet e tjera. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ka prezantuar nënprefektin e ri të Matit, Vladimir Kurti. Këtë post prej katër vitesh e mbante kryetari i LSI-së për Burrelin, Nderim Palluçi. Drejtori i spitalit “Xhavit Mara” Dritan Neli, përfaqësues i LSI-së është zëvendësuar pas konkursit të zhvilluar pranë Ministrisë së Shëndetësisë me mjeken Alma Voshi (Frangu). Në vend të Rifat Minxhozit, zyrtar i LSI-së Mat, drejtor i OST, është emëruar Spartak Palamani. Po ashtu është shkarkuar edhe drejtoresha e Postës Mat, Luljeta Skura, nënkryetare e LSI për këtë rreth.
Mësohet se shkarkimi ka mbërritur edhe për drejtoreshën e Bordit të Kullimit, Lutfie Meta, edhe kjo nënkryetare e LSI-së Mat. Ndryshime janë kryer këto ditë edhe në Drejtorinë e Shëndetit Publik Mat dhe Hipotekën e Burrelit. Në këtë rreth po këqyret puna e çdo përfaqësuesi politik të LSI-së, pasi sipas PS janë të shumta ankesat, kritikat dhe shqetësimet që ato kanë krijuar në bazë. Ndërkaq, gjatë mbledhjeve të grupit parlament socialist, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjenden njerëzit e duhur dhe profesionistë për vendet që kanë lënë vakant njerëzit e LSI.
Lëvizja tjetër
Shumë përfaqësues të LSI të punësuar me kontratë, nuk u është rinovuar kontrata. Ata kanë marrë nga një njoftim nga drejtuesit e dikastereve përkatëse për përfundimin e kontratës. Lëvizjet vijnë para protestës së opozitës dhe në kushtet kur kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka paralajmëruar firmosjen e një marrëveshje politike me Lulzim Bashës, për t’i paraprirë një aleance për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Paralajmërimi i Ramës
Zbatimi i platformës së bashkëqeverisjes po prodhon ndryshime intensive në administratë. Javën e kaluar, kryeministri Edi Rama pohoi se deri më tani janë larguar 35 persona, të cilët sipas tij janë të LSI. “Janë pushuar deri tani, vetëm për këto raste që janë zbuluar në pengim të proceseve, 35 tepsixhinj. Kanë ikur nga puna vetëm nga platforma. Jo me parti, pavarësisht se na dalin që shumica janë të atyre partive të tepsisë, por rasti është kështu. Çuditërisht nuk e di si ndodh, por dalin të këtyre, të kësaj partisë së këpucëve.
Por faktikisht është kështu, dalin vetë, nuk shkojmë ne t’i shohim nga këpucët. 35, që do të thotë se mesazhi ka shkuar tek të gjithë dhe aty nuk bëhen dallime. Thashë se shumica dërrmuese janë ata, por një pjesë nuk janë ata. Edhe tek inspektimet e tatimeve, dhunën mbi biznesin. Ka biznese që preferojnë akoma të paguajnë, por ata që e kanë provuar, e kanë parë, iu është dhënë e drejta dhe inspektorët kanë ikur nga puna menjëherë”, ka deklaruar kryeministri.
d.b/shqiptarja.com