Lëvizja Socialiste për Integrim duket se po shkon e gjymtuar në zgjedhjet vendore 2019. Të gjitha palët i shohin me rëndësi këto zgjedhje dhe për këtë arsye PS është vënë në lëvizje për të siguruar shumicën në këshillat bashkiakë.
Gjatë 2-3 muajve të fundit LSI është braktisur nga mbi 50 këshilltarë, të cilët janë bashkuar me PS. Rasti më i fundit ishte Gjirokastra, ky dy këshilltarë bashkuan votat me PS dhe shkarkuan kreun e këshillit bashkiakë.
Nga një pasqyrim të situatës aktuale në të gjithë këshillat bashkiakë, rreth 35 prej tyre dominon PS, ndërsa në të tjerat dominojnë PD dhe LSI. Por në këto bashki të mbetura, LSI është gjithmonë minorancë, pasi dhe në qytete si Skrapari, etj ku ajo ishte shumicë i ikën shumë emra.
Kjo ka bërë që në bashkitë që drejton LSI, të mos miratohen vendimet e kryebashkiakëve pa votën e PS, siç është Skrapari. Ndërsa në 7 njësi të tjera do kemi një betejë të fortë PS-LSI-PD, pasi duke parë aleancën Basha-Kryemadhi, me shuma gjasa edhe në këto bashki pritet të ketë përmbysje mandatesh, për faktin se diferencën e vendos vetëm 1 anëtar.
Sipas përllogaritje së gazetës vetëm ditët e fundit nga LSI kanë dezertuar plot 56 këshilltarë bashkiakë, ç’ka tregon qartë se PS jo vetëm rritet por dominon edhe këshillat, duke e bërë më të lehtë vendimmarrjen e saj.
Po ashtu, një tjetër faktor që tregon se LSI dhe PD po shkojnë drejt dobësimit të tyre në këshilla, ka të bëjë me arsyen e largimit që kanë dhënë këshilltarët në çdo dalje publike. Humbja e këshillave bashkiakë do të thotë më pak vota në zgjedhjet që po vijnë. Kjo pasi ata këshilltarë që kanë ikur tani do lobojnë për PS dhe kjo dëmton shumë opozitën.
Por ajo që po shqetëson më shumë LSI, është fakti nëse do pranojë PD të hyjë me të në zgjedhje. Një burim i tha gazetës se LSI e di që nëse shkon vetë në zgjedhjet vendore, kapitullimi është i pashmangshëm. Për këtë arsye Kryemadhi është duke punuar fort për të marrë mbështetje nga PD në disa bashki, por që nuk po gjen konsensusin e Bashës.
Situata në këshillat bashkiakë
Po t’i hedhim një sy të gjitha deklaratave, thuajse në shumicën e rasteve këshilltarët e LSI njëzëri kanë deklaruar se janë larguar nga partia e Kryemadhit, pasi kjo e fundit, sipas tyre ka bërë aleancë me PD, të cilën ata e quajnë jo të natyrshme. Pra kjo do të thotë se pavarësisht qëndrimit të unifikuar të LSI dhe PD, PS udhëheq e vetme këshillat bashkiak dhe nuk e ka fare problem që të miratojë akte dhe vendime.
Sipas të dhënave, PS rezulton shumicë në disa bashki kryesore, por në më të shumtën në bashki më të vogla. Nëse i marrim me radhë: në Poliçan PS bashkë me aleatë e saj ka 15 këshilltarë, ndërsa LSI 7 dhe PD 2. Pra edhe janë bashkë, PD dhe LSI nuk kanë më shumë se 9 këshilltarë. E njëjta situatë dhe në Kuçovë. PS aty ka 17 këshilltarë ndërsa PD 2 dhe LSI 6 këshilltarë. Ndërkohë në Himarë kemi rezultat të barabartë. PS dhe aleatët e saj kanë 11 këshilltarë , ndërsa edhe LSI+PD dhe aleatët kanë 11 këshilltarë.
Në Peqin rezultati ndahet: PS dhe aleatët, 11 këshilltarë; LSI, 4 këshilltarë; PD dhe aleatët, 5 këshilltarë. Në Gramsh: PS dhe aleatët,17 këshilltarë, ndërsa LSI+PD dhe këshilltarët 14 këshilltarë. Po ashtu, në Tiranë: PS dhe aleatët, 19 këshilltarë, ndërsa LSI+PD dhe aleatët, 12 këshilltarë. Ndërkohë që ka dhe shumë bashki të tjera të rëndësishme si Korça, Vlora, Devoll, Pogradeci, Saranda, etj. ku PS ka dominim të thellë.