Këngëtari i famshëm shqiptar Ermal Meta erdhi mbrëmjen e kësaj të shtune me një koncert për të gjithë adhuruesit e tij të cilët kishin mbushur sheshin plot. Kaq mjaftoi për gazetarin Denis Dyrnjaja, i cili shkruan se këngëtari mblodhi më shumë njerëz se opozita në shesh. Sipas Dyrnjasë duhet organizim urgjent i opozitës pasi ky ishte një sinjal shumë i fortë.
Postimi i Denis Dyrnjasë
Opozita duhet të ndryshojë melodi politike.
Edhe Ermal Meta mbledh më shumë njerëz se opozita në shesh. Kjo është demoralizuese, diskredituese, por edhe një sinjal i fortë për riorganizimin urgjent të opozitës e cila po shkon në pikiatë dhe në rrudhje të vazhdueshme për shkak se njerëzit nuk kanë besim te lidershipi aktual i saj. Opozita ka nevojë për njerëz me mendësi, vizion dhe karizmatikë dhe jo njerëz antipatikë, shërbëtorë dhe servilë që i bëjnë fresk drejtuesit për një vend në parlament.
Opozita ka nevojë për kauzë të qartë dhe për ofertë politike që artikulohet dhe mbështetet nga njerëz të besueshëm të saj. Ndryshe “rrudhja” politike e saj do të vazhdojë. Të mbledhë njerëz një këngëtar më shumë se një opozitë e tërë është më shumë se dëshpëruese dhe zhgënjyese në një kohë qeverisja nuk është në ditët e saj më të mira, por është në ditët më të thella të konsumit të saj politik!
PD duhet të ndryshojë melodinë politike që të mbledhë njerëzit, kjo melodi që ka tani stonon për preferencat e tyre.