I minuar nga vite të tëra padituri reciproke, mosrespektim dhe gënjeshtra, procesi i anëtarësimit të Ballkanit në BE më në fund i është dorëzuar politikave populiste dhe dritëshkurtër të liderëve evropianë dhe ballkanas.
NgaSrecko Latal 16:57 | 27/06/2022 Në Opinion Kohe leximi: 9 minuta
BE-ja ka groposur më në fund ëndrrat e Ballkanit për t’u anëtarësuar në të
Takimi i liderëve në samitin BE-Ballkani Perëndimor, 23 qershor 2022. Foto: www.consilium.europa.eu
Shpresat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE kanë ngelur varur për më shumë se një dekadë, të mbështetura nga shpresa, frikë dhe mungesa e opsioneve më të mira sesa ndonjë ide konkrete.
Farsa e ngathët u mbyll më në fund në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Bruksel më 23 qershor, të mbajtur në margjinat e takimit të Këshillit Evropian, ku mblodhën krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së.
Ajo që duket si kolapsi përfundimtar i perspektivës së zgjerimit mund të ketë pasoja serioze mes krizës së thelluar gjeopolitike të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, të cilën kryeqytetet e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së e kanë përdorur për të zhvilluar një luftë me Moskën.
Në samit, liderët e BE-së përsëri nuk arritën t’u ofrojnë vendeve të Ballkanit – madje edhe atyre që e meritonin – qoftë edhe një fije të vogël shprese se ëndrrat e tyre për anëtarësim në BE mund të realizohen. Duke e përkeqësuar edhe më keq situatën, liderët e BE-së në vend të kësaj i dhanë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë.
“BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor dhe Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, postoi presidenti i Këshillit Charles Michel në rrjetet sociale.
Megjithatë, BE-ja nuk bëri asnjë gjest konkret për të treguar se ishte gati të merrte masa për të mbështetur këtë gjë.
Lëvizja e BE-së për herë të parë bashkoi politikanët e ndarë të Ballkanit në shprehjen e zemërimit të tyre.
“Nuk do të presim Godot”, tha në fund të samitit kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai theksoi se ngjarja, e cila u quajt “historike” kishte qenë me të vërtetë “një ditë historike, por në mënyrë negative dhe jo pozitive”.
Në përgjithësi, samiti u duk më shumë si një përkujtim për një ide të vdekur ose duke vdekur, sesa si një festim i lidhjes së ardhshme midis BE-së dhe Ballkanit.
Kjo nuk është për t’u habitur. Por në kuadrin e rritjes së tensionit lokal, rajonal dhe gjeopolitik, fundi përfundimtar i ëndrrës së zgjerimit mund të ketë pasoja që kërcënojnë drejtpërdrejt stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë Evropës.
Si fillim, kjo mund t’i shtyjë vendet e Ballkanit më larg nga BE-ja dhe drejt aktorëve të tjerë, si SHBA-ja, Rusia, Kina ose Turqia. Këto vende kanë përdorur tashmë praninë në pakësim të BE-së në rajon vitet e fundit për të (ri)vendosur ndikimin e tyre atje.
Pa perspektivën afatgjatë stabilizuese politike dhe ekonomike të BE-së, interesat shpesh kontradiktore të këtyre aktorëve të tjerë ka të ngjarë të vazhdojnë të përkeqësojnë tensionet në rritje midis disa vendeve të Ballkanit, duke e shtyrë rajonin drejt paqëndrueshmërisë së mëtejshme dhe ndoshta konflikteve të reja.
Premtime të dështuara, ndryshim rregullash
Presidenti francez Emmanuel Macron duke folur për shtypin pas samitit të Bashkimit Europian më 17 tetor. Foto: Bashkimi Europian.
“Duke i dhënë statusin e vendeve kandidate Ukrainës dhe Moldavisë, dhe duke shpërfillur sërish Ballkanin Perëndimor, BE-ja e ka bërë historinë e zgjerimit krejtësisht të pakuptimtë, përfundimisht të vdekur”, tha për BIRN analisti politik me qendër në Sarajevë, Adnan Huskic.
Huskic dhe ekspertë të tjerë të Ballkanit theksojnë se gabimi më i madh që liderët e BE-së bënë në Samitin e Ballkanit Perëndimor ishte që nuk i dhanë të njëjtin status si Ukrainës dhe Moldavisë edhe Bosnjës e Hercegovinës.
Një problem më i madh ishte se, për shkak të grindjeve të brendshme politike dhe lojërave populiste të BE-së, ajo ende nuk i dha Kosovës një regjim pa viza, ndërsa Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk iu dhanë data për fillimin e negociatave të anëtarësimit – për të cilat Komisioni Evropian tha vite më parë që të gjitha kushtet janë plotësuar.
Zënkat e brendshme politike të Bullgarisë ende bllokojnë rrugën drejt BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pasi Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj për t’i dhënë fund një bllokade të ngjashme të vendosur nga Greqia prej vitesh.
Regjimi pa viza i Kosovës u bllokua me vite edhe nga Holanda dhe disa vende të tjera anëtare të BE-së, të cilat shpërfillin faktin se në vitin 2016 Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kushtet zyrtare.
“Është fakt që politikanët boshnjakë nuk kanë bërë asgjë për të përmbushur kushtet që vendi të marrë statusin e vendit kandidat, por është gjithashtu fakt se Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë gjithçka që iu është kërkuar, por ende nuk e morën atë që BE-ja premtoi”, vuri në dukje një tjetër eksperte e Ballkanit, Tanja Topic.
Është kjo hipokrizi dhe një qasje që toleron kriteret në ndryshim të vazhdueshëm të vendeve anëtare të BE-së dhe përdorimin e standardeve të dyfishta dhe të trefishta që ka minuar perspektivën e zgjerimit dhe i ka larguar vendet e Ballkanit nga axhenda e BE-së.
Disa zyrtarë të lartë të BE-së i thanë BIRN se Ukraina dhe Moldavia nuk përmbushin as kriteret më elementare politike për anëtarësimin në BE. Ukraina është në një luftë e cila nuk tregon shenja zbutjeje dhe si Ukraina ashtu edhe Moldavia nuk kanë kontroll të pjesëve të territoreve të tyre.
Burimet e BE-së thanë gjithashtu se Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i vendit kandidat për t’i inkurajuar ato në kohë të vështira. Megjithatë, ata gjithashtu pranuan se ka pak mundësi që njëri prej tyre t’i bashkohet BE-së për dekada, nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.
“Fakti që BE-ja u ka dhënë statusin e kandidatit vendeve që janë në luftë dhe/ose nuk kontrollojnë të gjitha territoret e tyre do të thotë se BE-ja ka filluar të përdorë statusin e kandidatit si një mjet të politikës së saj të jashtme”, vuri në dukje Huskic. Kjo derogon dhe minon plotësisht procesin e zgjerimit”, shtoi ai.
Andras Inotai, një diplomat veteran hungarez dhe një ekspert i zgjerimit të BE-së, pajtohet se vendimi për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë ishte kryesisht “një vendim politik”.
“Nuk ka asnjë lidhje midis statusit të vendit kandidat dhe pranimit. Statusi i kandidatit e kualifikon një vend për të filluar zgjerimin, por nuk përcaktohet se çfarë lloj pranimi apo çfarë kriteresh”, tha Inotai për BIRN.
“Ky vendim mund të ketë një efekt psikologjik pozitiv për qytetarët e Ukrainës dhe Moldavisë, por gjithashtu mund të ketë një efekt psikologjik shumë negativ në Ballkanin Perëndimor. Pra, pyetja është se si BE mund ta balancojë këtë ndikim negativ.”
Një lojë shtirëse që tani ka skaduar
Që në fillim të historisë së zgjerimit të BE-së, e cila u prezantua në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Selanik më 21 qershor 2003, BE-ja ishte në konflikt për këtë ide.
Nga njëra anë, ajo donte të stabilizonte Ballkanin, të siguronte krahun jugor dhe lindor të Evropës dhe të forconte gjurmën gjeopolitike të BE-së. Nga ana tjetër, shumë vende anëtare të BE-së ishin të shqetësuar se zgjerimi do të importonte çështjet e shumta të pazgjidhura të Ballkanit në BE, duke dobësuar strukturën e tij ekonomike, politike dhe ligjore.
Nisma doli më tej nga binarët nga recesioni global i vitit 2009, fillimi i krizës së emigrantëve në 2014, rritja pasuese e populizmit të krahut të djathtë në të gjithë Evropën, referendumi BREXIT i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2016 dhe më në fund pandemia COVID-19 në 2020.
Këto zhvillime, shumica e të cilave kanë pasur një ndikim të madh si në BE ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, kanë dobësuar mbështetjen popullore për zgjerimin e BE-së, e cila nga ana e saj ka dëmtuar proceset e demokratizimit në Ballkan.
Si rezultat, zyrtarë të BE-së dhe Ballkanit gjatë viteve e kthyen procesin e pranimit në një lojë shtirëse, siç përshkruhet nga ish-Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjës, i ndjeri Paddy Ashdown, në një artikull të The Guardian të shkruar në 2008.
“Ballkani pretendoi të reformonte dhe BE-ja pretendoi se i besonte ata. Tani disa njerëz në Bosnje as nuk po shtiren më sikur po kryejnë reforma, por BE-ja ende pretendon se i beson”, shkroi Ashdown, duke bërë thirrje për një ndryshim urgjent në qasjen perëndimore ndaj Bosnjës dhe rajonit.
Shumica e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë pajtohen se faji për zhdukjen graduale të perspektivës së zgjerimit të Ballkanit bie kryesisht mbi politikanët ballkanas dhe politikat e tyre të korruptuara, populiste, autokratike dhe radikale.
Megjithatë, ata pajtohen gjithashtu se BE-ja mban pothuajse të njëjtën përgjegjësi, sepse qasja e saj e gabuar ndaj zgjerimit, si dhe politikat e saj jo koherente dhe të pabashkuara të brendshme dhe të jashtme, kanë inkurajuar liderët rajonalë që të largohen nga rruga e BE-së. Kjo krijoi një vakum pushteti në Ballkan, i cili u përdor nga Rusia, Kina, Turqia dhe aktorë të tjerë të huaj.
“BE-ja kishte një qasje të gabuar për të gjithë rajonin”, thotë Tanja Topic. “Ata po promovonin stabilizimin dhe toleronin politikanët autokratë dhe derogimin e tyre të shtetit të së drejtës, duke besuar në mënyrë naive se liderët e lartë mund të garantonin siguri dhe stabilitet në rajon.”
“Si rezultat i këtij procesi, në vend të evropianizimit të Ballkanit, ne tani jemi dëshmitarë të ballkanizimit të Evropës”, tha Topic.
Zgjerimi ka vdekur – rroftë zgjerimi
Në vend të një procesi efikas zgjerimi, BE-ja dhe vendet e Ballkanit shpikën shtigje paralele që fillimisht kishin për qëllim të mbështesnin dhe më vonë të zëvendësonin procesin e prishur të anëtarësimit.
Në vitin 2014, Gjermania – e pakënaqur me rolin e Brukselit në zgjerim – prezantoi të ashtuquajturin proces të Berlinit si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, kjo nismë së shpejti hasi pengesa dhe u la në hije nga nisma e Kinës “Një brez dhe një rrugë” dhe projektet që ajo mbështeti në të gjithë rajonin, nën kushte shumë më të thjeshta – shumë prej tyre thanë tepër të thjeshtuara dhe jo transparente.
Presidenti serb Vuçiç, Edi Rama i Shqipërisë dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, filluan procesin e tyre rajonal, Ballkani i Hapur, në tetor 2019 – kryesisht për shkak të zhgënjimit në rritje me BE-në dhe për të poshtëruar Brukselin dhe Berlinin.
Duke qenë dëshmitare e humbjes së BE-së në Ballkan, SHBA-ja dha mbështetjen e saj të plotë për Ballkanin e Hapur, duke shpërfillur faktin se disa vende ballkanase e refuzuan me vendosmëri ate dhe thanë se s’do t’i bashkoheshin kurrë.
Gjatë viteve të fundit, procesi i prishur i zgjerimit, procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur kanë ecur paralelisht, duke u përplasur me njëri-tjetrin pothuajse në çdo hap, duke i shtuar më shumë komplikime kësaj çështjeje dhe duke vënë liderët e Ballkanit, BE-së dhe SHBA-së kundër njëri-tjetrit.
Në fillim të këtij viti, presidenti francez Emmanuel Macron hodhi idenë e tij – Evropën politike. Sipas diplomatëve të BE-së, kjo nismë ka qenë kryesisht pjesë e fushatës së tij parazgjedhore, por në mungesë të ndonjë thelbi apo shpjegimi të detajuar, ajo ka krijuar vetëm më shumë konfuzion.
Me perspektivën e zgjerimit të BE-së tani në dukje të vdekur, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë druhen se disa liderë ballkanas – si lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik – apo edhe aktorë të huaj, si Rusia apo Turqia, mund të përdorin momentin për të çuar përpara planet e tyre separatiste apo radikale në rajon.
Megjithatë, disa zyrtarë dhe ekspertë të BE-së i kanë thënë BIRN se ka ende njëfarë shprese për zgjerimin, pasi disa institucione të BE-së dhe vende anëtare kanë filluar përgatitjen e një qasjeje të re ndaj Ballkanit. Kjo thuhet se do të merrte në konsideratë mungesën e konsensusit të zgjerimit e BE-së, por edhe nevojat reale të vendeve të Ballkanit për një rol të menjëhershëm, konkret dhe përkatës të BE-së.
Ky diskutim po zhvillohet paralelisht me debatin për një rishikim të plotë të vetë BE-së, i cili është qartësisht i nevojshëm përpara se BE-ja të vendosë për rolin e saj të ardhshëm në Ballkan apo në botë.
“BE-ja është në procesin e një zhvillimi – nëse është pozitive apo negative është një çështje tjetër, por fakti është se BE-ja nuk është e përgatitur për ndonjë zgjerim në këtë moment”, tha Inotai për BIRN.
“Ka një diskutim aktual në sfond për një BE me shpejtësi të ndryshme, për shkak të vendeve që bllokojnë vendimet kyçe të BE-së”, tha ai, duke shtuar se paralelisht ka një debat edhe për metodologjinë e re të zgjerimit.
Inotai dhe ekspertë të tjerë të BE-së thonë se kjo qasje e re do të bazohet në “zgjerimin gradual”, ku vendet e Ballkanit nuk do të duhet të presin anëtarësimin e plotë për të marrë disa nga fondet më të mëdha të BE-së, por do të marrin mbështetje më të konsiderueshme financiare dhe teknike gjatë rrugës, në varësi të performancës së tyre në zbatimin e reformave.
“Ka një shans që zgjerimi gradual të mund të ofrohet menjëherë pas Këshillit që do të ndihmonte për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në”, tha ai, por paralajmëroi: “BE-ja nuk duhet vetëm të flasë, sepse koha po mbaron dhe duhet të hedhim disa hapa konkrete.”