Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është shndërruar në një vatër korrupsioni dhe skandalesh. OLAF, e cila është zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit do të vazhdojë operacionet e saj për të nxjerrë në dritë skandale edhe më të rënda tek AZHBR, ku ka dalë në skenë emri i Frida Krifcës, e cila akuzohet për afera të rënda. Arrestimet kanë nisur. Një inspektor i AZHBR-së në Korçë, është prangosur ditën e djeshme nga policia e Korçës pasi akuzohet se në këmbim të ryshfeteve të majme ai favorizonte blegtorë të ndryshëm që të përfitoni me pa të drejtë subvencione nga shteti. Policia e Korçës njoftoi se inspektori, duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë”.
Bashkë me inspektorin është arrestuar edhe një blegtor, i cili kishte dhënë 90 mijë lekë ryshfet që të merret 1 mln lekë subvencion nga AZHBR. Hetimi është kryer për një periudhë tre mujore nga seksioni për Krimin Ekonomiko-Financiar në Policinë e Korçës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit. Arrestimi i të dyve është bërë në flagrancë, në lagjen nr. 8 në Korçë, në momentin kur blegtori, përfitues i subvencionit për bagëtitë, po i ofronte ryshfet (90.000 lekë), inspektorit të AZHBR-së, me qëllim që të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1.000.000 lekë. Ky nuk ishte rast i vetëm që inspektori Pajo ka ndjekur të njëjtën skemë, duke shfrytëzuar detyrën! Ai ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
AZHBR, vatër korrupsioni
Gazeta “SOT”, bëri me dije pak kohë më parë se gjatë kohës kur zonja Krifca drejtonte Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, iu dha plot 2.2 milionë euro për ndërtimin e serave, dy kompanive anonim të lidhura me inceneratorët, kokat e së cilëve kanë qenë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Por duke se kjo nuk është e vetmja shkelje e konsumuar nga Frida Krifca që deri para se të zgjidhej ministre e Bujqësisë, drejtonte AZHBR-në. Burime të sigurta nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, i thanë gazetës se Krifca i ka dhënë një pronari mediash para për të ndërtuar një hotel me 7 yje nga fondet e AZHBR.
Ky vendimi i ministres Krifca është një shkelje e hapur, pasi fondet e akorduara nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare për të financuar agroturizmin, alokohen për qytetarët dhe biznesmenët që kanë dëshirë të investojnë në bujtina dhe jo në hotele luksoze, sikundër Krifca i ka dhënë një pronari mediash në Shqipëri. Sipas vendimit të marrë nga qeveria “Rama 2”, rreth 150 bujtina në 100 fshatra të përzgjedhur do të mbështeten përgjatë 3 viteve me financime, me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre pritëse. Përkatësisht çdo vit janë parashikuar që 50 bujtina të kenë akses në fonde. Mbështetja mundësohet nga Skemat Kombëtare e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ndërkohë që shuma e financimit mbulon deri në 50 për qind të investimit, por jo më shumë se 1.5 milion lekë ose 12 mijë euro.
Si i shpërdoroi Krifca lekët e taksapaguesve shqiptarë?
Mirëpo ministrja që deri para disa muajsh drejtonte Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural e ka injoruar vendimin e qeverisë, pasi i ka dhënë në kundërshtim me ligjin dhe vendimin, para një pronari mediash, i cili ka ndërtuar një super hotel me 7 yje në bregdetin shqiptar, me lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe europianë. Qeveria ka përzgjedhur 100 fshatra në të gjithë vendin, që do të përfitojnë ndërhyrje rrënjësore në infrastrukturë dhe mbështetje financiare për bizneset. Fshatrat e përzgjedhur ofrojnë potenciale të shumta turistike, kulturore, dhe në listë përfshihen zona si Lëpusha, Razma, Valbona, Drishti, Mjeda, Fishta, Qelëz, Kryezi, Shishtavec, etj. Në Tiranë janë përzgjedhur pesë fshatra, konkretisht Shesh, Pezë, Pëllumbas, Laknas, Shëngjergj. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm janë përzgjedhur edhe në jug të vendit, si Mursi, Mesopotam, Çukë, Sotire, Nepravishtë, Lukovë, Dhoskat, Lazarat, etj. /Sot