Amnistia Fiskale dhe Penale e propozuar nga qeveria lejon që të deklarojnë pasurinë deri në 2 milion euro edhe familjarët e ngushtë të politikanëve, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë nëse nuk janë pjesë certifikatën familjare në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.
Vetë politikanët, kabineti qeveritar, funksionarë dhe ish funksionarë të lartë shtetërorë dhe familjet e tyre janë të përjashtuar nga amnistia, por me një akt formal cilido familjar i tyre përveç bashkëshortëve mund të ndahet nga certifikata familjare, dhe të bëhet përfitues i legalizimit të një pasurie në para cash ose prona deri në 2 milion euro. Taksimi duket mjaft i ulët po ta krahasosh me tatimin mbi të ardhurat, nis me 5% për shumat e parave cash që deklarohen deri në muajin e 4 të hyrjes në fuqi të amnistisë dhe 10% për periudhën më pas, ndërkohë që qytetarët e aktualisht tatohen me 23% për të ardhurat mbi 15 mijë euro në vit.
Për pasuritë e tjera, prona apo sende me vlerë taksimi është 7% për kapitalet që deklarohen deri në muajin e 4 të hyrjes në fuqi të amnistisë dhe 10% për periudhën më pas. Amnistia do të zgjasë 9 muaj. Drafti qeverise nuk mbart ndonjë kufizim eksplicit për paratë që mund të jenë fituar përmes ryshfetit dhe korrupsionit, ndërkohe që ndalohet prokuroria dhe strukturat e tjera ligjzbatuese që të zhvillojnë hetime apo të marrin indicie për hetime të tjera penale. Veprat penale në fushën tatimore dhe doganore, të cilat amnistohen me këtë ligj, përfshijnë një kapitull të tërë të Kodit Penal.
Krijimi i skemave mashtruese me TVSH-në, një plagë e sistemit tatimor shqiptar ku duket se janë përfshirë edhe kompanitë e ndërtimit dhe kromi, është një vepër penale që dënohet me tre deri në dhjetë vjet burg por që falë këtij projektligji, përfituesit do të mund të legalizojnë paratë e tyre dhe njëkohësisht, të mbyllin telashet me drejtësinë përgjithmonë, pavarësisht se çfarë kostosh i kanë shkaktuar taksapaguesit.
Amnistim edhe për kontrabandën
Por, projektligji duket se amniston edhe kontrabandën, përfshirë kontrabandën e mallrave të akcizës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet. Nga ana tjetër Qeveria kufizohet vetëm duke deklaruar se subjektet e ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” janë të ndaluar të përfitojnë.
Ligji në fjalë, i njohur si Ligji Antimafia, i ngarkon poseduesit e pasurive me barrën e provës për të provuar burimin e ligjshëm kur kapen nga autoritetet. Por për sa kohë nuk janë zbuluar, gjithkush mund të deklarojë deri në 2 milionë euro pasuri pa justifikuar burimin dhe pa pasur nevojë që të demonstrojë së paku se paratë e fituara janë rezultat i evazionit fiskal dhe jo rezultat i aktiviteteve të tjera kriminale.
Ndërkohë, kujtojmë se drafti për amnistinë fiskale parashikon legalizimin e parave dhe pronave të padeklaruara deri në 2 milion Euro. Ai vendos shumë kufizime për kategoritë që nuk përfitojnë nga kjo. Duke filluar nga presidenti i republikës, kryeministri, ministra, deputetë, gjykatës e prokurorë, drejtorë të lartë të administratës qendrore e vendore.