Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u ka dërguar të shtunën një mesazh deputetëve të tjerë demokratë me anë të të cilit u bën thirrje atyre që të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit më 4 korrik, në mbështetje të Ervin Salianjit.
Në mesazhin e tij, Alibeaj sjell në vëmendje se, sipas tij, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor janë një “orkestrim hakmarrës politik nga qeveria dhe eksponentë politikë të mazhorancës.” Ai u thotë deputetëve se është detyrim njerëzor dhe politik që së paku anëtarët e Komisionit të Sigurisë të jenë të pranishëm në sallë ditën e gjyqit.
“Përshëndetje kolegë! Ndoshta jeni ne dijeni që te hëne, date 4 korrik ora 2 ne Gjykatën e Apelit zhvillohet gjyqi nga kolegut Salianji. Siç dihet dhe siç është bere publike, e gjithë ngjarja dhe procesi gjyqësor vijues janë një orkestrim hakmarrës politik i pastër nga qeveria dhe eksponentë politike te mazhorancës. Është detyrim se pari njerëzor e pastaj edhe politik qe se paku deputetet tanë anëtare të Komisionit të Sigurisë të jemi te pranishëm ne sallë ditën dhe orën e gjyqit.”
Kujtojmë se në Gjykatën e Apelit Tiranë pritet shqyrtohet të hënën një prej çështjeve më të bujshme, që lidhet me skandalin “Babale”, ku në qendër ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik.
Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ. Nëse do lihet në fuqi vendimi atëherë do kemi dënimin me burg të një deputeti. Autori i audio-përgjimit Albert Veliu u dënua me 3.5 vite burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 100 orë shërbim prove.