Në fund të javës së kaluar, Partia Socialiste mblodhi Kryesinë për zgjedhje e 61 kryetarëve të degëve. Emrat kryetarëve të zgjedhur u lexuan nga Blendi Klosi dhe në krye të PS-së në Sarandë është zgjedhur Eleron Gjoni, një personazh i dënuar më vendim të formës së prerë për fshehje pasurie, si dhe i lakuar si pjesë e mafies së ndërtimit dhe pronave në Sarandë.
Prapaskena ka siguruar vendimin e dënimit të Eleron Gjonit, ku ky i fundit madje pranon dhe firmos fajësinë, por e mohon nëpër Sarandë, duke mashtruar qytetarët e Sarandës dhe mbase edhe partinë e tij.
Kur pritej arrestimi i tij si pjesë e grupit të Pandi Zhonga dhe shok i Romina Pulajt, të arrestuar për tjetërsim pronash publike, legalizime të paligjshme dhe ndërrime pallatesh pa leje, Eleron Gjoni caktohet kryetar i degës së PS.
Por, nëse PS-janë në kryet të degës së saj mund të zgjedhë edhe Klement Balilin, pasi nuk ka ndonjë korrinizë ligjore, por vetëm morale, skandali konsiston në faktin se Eleron Gjoni është edhe numri i dy Bashkisë së Sarandës, madje komandon edhe kryetarin Adrian Gurma.
Eleron Gjoni mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Sarandës. Për të mbuluar dënimin penal, Gjoni mësohet se ka siguruar një dëshmi penaliteti false. Këtu kemi të bë bëjmë jo më me një funksion partiak, por me një funksion shtetëror.
Jo vetëm kaq. Bashkëshortja e Eleron Gjonit, Fotini Eksarho, është drejtoreshë e burimeve njerëzore po në Bashkinë Sarandë, në të cilën punon si Sekretar i Përgjithshëm burri i saj Eleron Gjoni. Kemi të bëjmë me një konflikt flagrant interesi që mbulohet nga ILDKPKI, institucion i cili është kthyet në kohën e Adriatik Llalës dhe Zana Xhukës.
Eleron Gjoni ka probleme të rënda edhe sa i takon etikës në komunikim. Ai nuk sillet si zyrtar i lartë i pushtetit lokal, por si një gangster oborresh pallati, me një gjuhë ordinere dhe fjalor lacash, ndërsa shfaqet sfidues ndaj veprimit të mundshëm të prokurorisë, edhe pse në të vërtetë ia mbath me fustan nga Saranda sa herë arrestohet ndonjë nga shokët e tij.
Prapaskena disponon dhjetëra mesazhe skandaloze të zyrtarit të bashkikës, mesazhe që konfirmojnë një gjuhë ordinere dhe kërcënimet e tij qesharake ndaj mediave dhe rivalve ndaj mediave dhe rivalëve në aferat me pronat dhe ndërtimet e paligjshme në Sarandë.
Pra, kemi të bëjmë me një skandal të shumëfishtë dhe të dokumentuar, por asnjë institucion nuk vepron.
Historia e dënimit
Prokuroria Sarandë ka regjistruar procedimin me nr. 887 datë 16.10.2019 në ngarkim të shtetasit Eleron Gjoni, i cili akuzohej për veprën penale të parashikuar nga neni 258/a/1 të kodit penal, që ka të bëj me veprën penale të refuzimit për të deklaruar pasurinë.
Eleron Gjoni ka pranuar veprën penale dhe midis prokurorisë Sarandë dhe të pandehurit është lidhur marrëveshja e fajësisë.
Eleron Gjoni është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarande në datë 29.06.2020, ku gjykata ka vendosur miratimin e marrëveshjes së fajësisë në kuadër të procedimit penal nr. 887 të vitit 2019.
Në lidhje me këtë dënim, Eleron Gjoni ka bërë dhe një deklaratë publike vetëm 4 muaj mbas dënimit, dhe nuk e pranon atë dhe pretendon se janë duke shpifur mbi figurën e tij.
Eleron Gjoni ka dhe ka publikuar edhe një dëshmi penaliteti false dhe pikërisht vërtetimin e Gjendjes Gjyqësore (dëshmi penaliteti), që mban datën 07/10/2020, me Nr.11 Protokolli.
Reagimi i Eleron Gjonit:
“As i dënuar dhe as në ndonjë listë për deputet nuk jam. Jam i pastër moralisht dhe penalisht. Kam mbetur i befasuar me publikimin e bërë dje, ku bëhej fjalë për gjoja dënimin tim nga gjykata. Prandaj e ndjej për detyrim ndaj lexuesve që të sqaroj nën përgjegjësinë time personale, se: nuk ka asnjë dënim me vendim të formës së prerë ndaj personit tim. Për ta dokumentuar këtë të vërtetë zyrtarisht, po ve në dispozicionin tuaj vërtetimin e Gjendjes Gjyqësore (dëshmi penaliteti), që mban datën 07/10/2020, me Nr.11 Protokolli.
Iniciuesve e nxitësve të kësaj të pavërtete, të hedhur qëllimshëm në konsum publik, po deklaroj se, gjatë gjithë jetës sime, nuk kam pasur asnjëherë probleme me drejtësinë apo me ligjin. E kundërta është e vërtetë: kam qenë dhe mbetem zbatues dhe mbrojtës i mirë i tij. E po kështu, gjatë karrierës sime, nuk ka ndodhur të bëj fshehje të pasurisë. Përkundrazi, kam bërë të gjitha deklarimet e kërkuara, kur kam qenë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurive. Këto që po them janë lehtësisht të verifikueshme pranë institucionit të ILDKPKI.
Sa për atë që thuhet mbi gjoja kandidimin tim për deputet, edhe kjo është një e pavërtetë, e sajuar për të më vënë në shënjestër të sulmeve të pandershme…”.
Pra, në qershor 2020 është dënuar nga gjykata, ndërsa disa muaj më pas përbetohet se nuk është dënuar, duke paraqitur një dëshmi të rreme të muajit tetor 2020. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një mashtrues ordiner, por me një falsifikator dhe një personazh që nuk është rehabilituar nga dënimi penal.