Një sipërfaqe e madhe me pyje e shkurre është përfshirë nga flakët në Krastën e Krujës.
Lidhur me këtë ka dalë në një deklaratë nga selia blu ish-kryeredaktori i “RD”, që tani e kanë zgjedhur anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së së Berishës, Bledi Kasmi, i cili tha se shkaktarët janë oligarkët që zotërojnë guroret, por edhe grupet kriminale që kultivojnë kanabis në malësinë e Krujës.
“Në fushatën elektorale të 2013 Edi Rama bënte sikur i qante zemra për Krujën.
Bënte bé e rrufe për masivin pyjor të Krastës, për fabrikat e çimentos, ndotjen mjedisore etj.
Nuk ka nevojë të shkosh në Krujë për ta dëshmuar masakrën që i është bërë rrethinave të kësaj zone.
Unë sapo kthehem nga Kruja dhe jam dëshmitar i të paktën dy zjarreve që kanë përfshirë masivin pyjor të Krastës.
Edhe sipas njoftimit të Policisë janë të qëllimshëm.
Eshtë e njëta dorë që qeverisë kanabisin, inertet, guroret dhe gjithçka tjetër në mënyrë korruptivo-kriminale në Krujë.
Partia Demokratike denoncon dorën e zgjatur të aferave korruptive shtetërore, që i vunë flakën pyjeve të Krujës.
Qëllimi është vetëm një: shfrytëzimi i masivit shkëmbor të zonës i pasur me gurë gëlqerorë, materiale që do të shkojnë në ndërtimet korruptive, koncesione korruptive dhe babëzinë e pafundme të Rilindjes.
Pavarësisht se kush janë dorasët, Partia Demokratike e dallon logjikën e porositësve.
Janë të njëjtët që e kanë kriminalizuar ekonominë e Krujës, qytetit me famë të shqiptarisë, kryeqytetit të arbërve të Gjergj Kastriotit.
Meqë jemi te Skënderbeu, atë që i ka bërë Edi Rama Krujës, nuk ia kanë bërë as hordhitë e sulltan Muratit.
I bëjmë thirrje organeve kompetente të punojnë për zbardhjen e ngjarjës dhe gjetjen, jo vetëm të autorëve, por edhe të porositësve.
Kur Kruja është në rrezik, Shqipëria është në rrezik!