Gjatë fjalimit të tij në protestën para Kryeministrisë, kryetari i PD-së, Sali Berisha mori në dorë flamurin kombëtar dhe iu drejtua kreut të qeverisë me këto fjalë.
“Edi Rama jemi sot këtu për t’u betuar për këtë flamur. Për t’u betuar para flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falim. Pushtetin e vjedhur kurrë nuk ta njohim. Harroje, mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë, jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e Shqipërisë të votojnë me dinjitet dhe të lirë. Edi Rama… ti këto vite je treguar armik i fjalës së lirë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha po ashtu se Rama ka blinduar dyert e Kryeministrisë, por i bëri të ditur që demokratët nuk veprojnë në pabesi.
“Sot ti ia ke mbathur, gabim ke bërë. Sot ti ke blinduar dyert. Gabim ke bërë. Së pari dua të them këtu se ne nuk veprojmë në pabesi. Kur të themi mbathja, do t’ia mbathësh. Së dyti, mos harro i mjerë se me forcën e idealeve tona të lirisë ne thërrmojmë çdo bunker, ne shpojmë çdo blind, asgjë nuk na ndal ne në përpjekjen tonë për liri. Edi Rama, ti je problemi i madh i lirisë së shqiptarëve. Ti je problemi i madh i çdo qytetari që i thotë lirisë liri, sepse ti qëndron në pushtet me votën e grabitur, me votën e vjedhur”, u shpreh Berisha.
Me flamur në dorë foli edhe Monika Kryemadhi, skenografi kjo që të kujton ‘popullin e 2 Marsit’ të Ilir Metës.