Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj, i përgjigjet Sali Berishës ditën e djeshme për akuzat që ky i fundit bëri në një dalje televizive. Sipas Kapllanajt, kryetari i ri i PD ka hallin e tij dhe të familjes pas non-gratës amerikane dhe përgojon të tjerët.
Agron Kapllanaj shprehet se Berisha e sulmon për të frikësuar demokratët në bazë, të cilët e dinë që “lufta” e kryetarit të PD “nuk është as rrëzimi i Ramës dhe as risjellja në pushtet e PD.“Sali Berisha, të këshilloj se kur më përmend mua dhe familjarët e mi për afera korruptive në bashkëpunim me Ramën laj gojën, pasi cdo qindarkë e përfituar nga familjarët e mi është me djersën e ballit, madje dhe një pjesë të asaj djerse e kanë shpenzuar për të mbështetur ty dhe ata sojsësët që të rrethojnë ty, pa kërkuar dhe pa marrë asgjë në shkëmbim, sepse kemi besuar verbërisht tek mashtrimet e tua për një qeverisje, ku interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve do të prevalonte mbi çdo interes tjetër.
Makthi i tij janë ata demokratë që e dinë të vërtetën, se ai edhe PD-në, edhe pushtetin, i do për të shpëtuar lëkurën. Gjithashtu e di se ka hall që të mbajë sa më gjatë rreth vetes ata miq e vëllezër të shumtë demokratë, që po e ndjekin pas të dëshpëruar dhe të lodhur nga qëndrimi kaq i gjatë në opozitë. I kuptoj dhe nuk i gjykoj, por një ditë, shumë shpejt, do ta njohin përfundimisht edhe ata”, tha ai.
Ai deklaroi se atë do ta ketë përballë, deri ditën që ti do të shporresh dhe të çlirosh nga pengmarrja Partinë Demokratike.“Do kuptojnë dhe mësojnë se nëse ka një faktor kryesor që e mban ende në këmbë Ramën, është pikërisht përçarja dhe pengmarrja që Berisha me një tufë ish- ministrash dhe zyrtarësh të korruptuar, po i bëjnë Partisë Demokratike.
Gjithsesi, dëgjo këtu Sali Berisha. Mua do të më kesh përballë, deri ditën që ti do të shporresh dhe të çlirosh nga pengmarrja Partinë Demokratike! Pas kësaj, pleqëri të mbarë dhe suksese në luftën që ke me SHBA”, tha ai.